Paris Saint-Germain rikthehet bindshëm te fitorja dhe dërgon një mesazh të qartë në garën për titull në Ligue 1. Kryeqytetasit triumfuan 3-0 ndaj FC Nantes, në sfidën e prapambetur të javës së 26 të kampionatit francez, duke u shkëputur me katër pikë në krye, përpara RC Lens.

Pas humbjes ndaj Olympique Lyonnais, skuadra e drejtuar nga Luis Enrique reagoi në mënyrën më të mirë të mundshme. PSG e nisi vrullshëm sfidën dhe zhbllokoi rezultatin në minutën e 15-të, kur pas një rishikimi me VAR, u akordua penallti për prekje të topit me dorë. Nga pika e bardhë, Khvicha Kvaratskhelia nuk gaboi, duke kaluar vendasit në avantazh.

Nantes u përpoq të reagojë dhe madje gjeti rrugën e rrjetës në mesin e pjesës së parë, por goli u anulua për faull në ndërtimin e aksionit. Pak minuta më vonë, PSG godet sërish: Achraf Hakimi shpërthen nga krahu dhe shërben për Désiré Doué, i cili realizon një supergol nga një kënd i vështirë për 2-0.

Në pjesën e dytë, dominimi i parizienëve vazhdoi. Sërish protagonist Kvaratskhelia, i cili depërton bukur në zonë dhe shënon golin e tretë, duke vulosur praktikisht fatin e takimit.

PSG ishte pranë edhe golit të katërt, me Hakimi që provoi nga distanca dhe me Kvaratskhelia që goditi traversën në tentativën për të kompletuar “hat-trick”-un. Edhe Fabián Ruiz iu afrua golit, por shtylla i mohoi festën.

Në përfundim, një fitore e pastër dhe autoritare për PSG, që forcon pozitat në krye dhe afrohet me titullin e 14-të kampion.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: