Autori i dyshuar i vrasjes së Bledar Dedjas është liruar nga burgu. Në një intervistë për “Corriere del Veneto” Antim Dedja, vëllai i madh i 39-vjeçarit me origjinë shqiptare i cili u gjet i vdekur më 21 janar 2024 në një pyll të vogël në Paderno del Grappa, Treviso nuk e fsheh tronditjen pasi mori lajmin.
“Është sikur vëllai im të ishte vrarë për herë të dytë. Kjo nuk është drejtësi”, ka thënë ai.
Vendimi për lirimin e autorit ka ardhur pas pranimit të kërkesës së avokates mbrojtëse të 17-vjeçarit, i cili do të ndjekë një terapi psikologjike në një qendër komunitare.
Bledar Dedja u gjet i masakruar me 20 goditje me thikë më 21 janar 2024, në një pyll të vogël në Paderno di Pieve të Grappa, në Treviso të Italisë. Ngjarja u hetua nga autoritetet si krim pasioni, teksa si autor i dyshuar u arrestua një 17-vjeçar i cili kishte lidhje intime homoseksuale me 39-vjeçarin shqiptar.
Si ndodhi ngjarja atë të diel në mëngjes, kur trupi i Bledarit u gjet në rrugën “Dei Carpini”?
Qemë të gjithë të shqetësuar. Gruaja e tij na telefonoi për të pyetur nëse dinim ku ishte, pasi nuk ishte kthyer në shtëpi. Herën e fundit që e pashë ishte të shtunën pasdite – më tha se po shkonte në punë. Më pas morëm lajmin e vdekjes së tij.
Dyshonit se Bledari kishte një jetë të dyfishtë?
Jo. Për ne ai ishte një njeri i përkushtuar ndaj fëmijëve, një punëtor i madh që me mundin e vet kishte arritur të blinte një shtëpi. Gruaja e tij kishte filluar së fundmi të dyshonte për diçka – grindeshin shpesh dhe ajo na kishte thënë se nëse ai nuk ndryshonte, do të kërkonte divorc dhe do të merrte fëmijët me vete. Por nuk dinim saktësisht çfarë po ndodhte.

Si reaguat kur mësuat të vërtetën?
Ndaluam menjëherë abonimin e televizorit me pagesë për prindërit tanë në Shqipëri. Ata janë të moshuar dhe nuk dinë asgjë. Nëna ime ka humbur arsyen dhe mbahet me ilaçe. Nuk fle natën dhe qan pa pushim. Unë i vizitoj çdo dy muaj, por nuk di më ç’të bëj.
Autori i dyshuar i vrasjes është liruar nga burgu dhe është dërguar në një komunitet. Si e pritet lajmin?
E mora vesh nga avokatët, pasi nuk desha të përfshihesha në proces. Kur e mora vesh, ishte si të më kishte qëlluar dikush me thikë pas shpine.
Thuhet se i riu ishte një person me probleme të shëndetit mendor dhe se kishte përjetuar dhunë nga vëllai juaj…
Nëse ishte kështu, duhej të shkonte te karabinierët. Bledari mund të ketë pasur një jetë private të komplikuar, por nuk ishte i dhunshëm dhe as ndonjë përbindësh. Ajo që i bënë nuk ka asnjë justifikim. Dhe nuk më duket e drejtë që ai që e vrau të jetë i lirë. Për më tepër, kemi vetëm versionin e tij të ngjarjes. Vëllai im është i vdekur dhe nuk mund të flasë. Kam besim tek drejtësia, por këtë gjë nuk po e përtyp dot.
Po familja si e përjetoi?
Nuk dinë asgjë. Fëmijëve të vëllait u kemi thënë që babai ka pësuar një aksident. Ata nuk dinë asgjë për atë që është shkruar për Bledarin. Tani janë në Australi me nënën e tyre. Shpresoj që të mos e mësojnë kurrë se çfarë ka ndodhur.
Çfarë do t’i thonit sot vrasësit të vëllait tuaj?
Asgjë. Tani ai është i lirë dhe familja e tij është e lehtësuar. Do doja që të mendonte për nënën dhe babain e Bledarit dhe për dhimbjen që u ka shkaktuar. Kjo duhet të jetë dënimi i tij i vërtetë.
***
Autori, një 17-vjeçar
Referuar hetimeve të bëra, viktima dhe i mituri ishin njohur rreth një vit më parë në ambientet e punës ku Bledar Dedja punonte, dyshohet se shqiptari e kishte bindur të miturin për të kryer marrëdhënie seksuale në këmbim të parave.
Ditën e krimit, kamerat e sigurisë të rrugës kapën momentet kur dy personat takohen në sheshin kryesor të Paderno del Grappa dhe më pas largohen me automjetin tip Mercedes B-Class të shqiptarit drejt pyllit ku ndodhi ngjarja tragjike.
Pas vrasjes, 17-vjeçari dyshohet se zhduku thikën me të cilën kreu krimin, çelësat e makinës dhe disa rroba të ndotura me gjak, të cilat më vonë u gjetën pranë vendngjarjes.
Gjatë përleshjes i mituri pësoi lëndime në dorë me thikë. Më pas është larguar në këmbë në Via Dei Carpini, ku është filmuar nga një kamera e dytë sigurie teksa i bënte autostop automjeti, i cili është sekuestruar për hetim, që e ka dërguar deri në stacionin e autobusit.
Në këtë pikë gjurmët e 17-vjeçarit humbasin derisa ai rishfaqet në një urgjencë spitali për të mjekuar plagët në dorë.
(BalkanWeb)