Ditëve të fundit në veri të Mitrovicës, u është vënë zjarri disa veturave me targa RKS, ndërsa ka pasur disa sulme ndaj zyrtarëve policorë.

Në lidhje me këto ngjarje, ku policia ka arrestuar një shtetas me inicialet M.B i cili dyshohet edhe për sulmin me armë ndaj Policisë së Kosovës ku mbetën të plagosur dy policë, kanë reaguar zyrtarët e lartë shtetëror të Serbisë dhe udhëheqësit e Listës Serbe.

Ata kanë paralajmëruar rezistencë nëse personi i arrestuar nuk lirohet.

Deklarata e tyre ka nxitur reagimin e Presidencës së Kosovës, ku shefi i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela tha se kreu i LS, Rakiç po kërcënon me kryengritje.

“Kreu i Listës Serbe, Rakiç përkrah Petkoviçit kërcënon me “rezistencë dhe kryengritje” në Kosovë. Megjithatë, asnjë fjalë dënimi nga Petkoviç për djegien e veturave të serbëve vendas! Serbia dhe Lista Serbe kërcënojnë me dhunë. Ata do të jenë përgjegjës për çdo përshkallëzim në terren”, ka shkruar Vela në një postim në Twitter.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, tha sot, se përmes arrestimit të serbëve në Kosovë, Qeveria e Kosovës dëshiron ta destabilizojë gjendjen dhe t’i shmangë detyrimet që ka ndërmarrë përmes marrëveshjes së Ohrit.

Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të “reagojë urgjentisht” dhe të bëjë presion mbi autoritetet në Prishtinë për ta parandaluar përshkallëzimin e situatës.

Kurse, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç tha se populli serb do të mblidhet dhe do të protestojë nëse personi i arrestuar nuk lirohet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb