Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, publikoi sot disa fakte, që sipas saj, tregojnë aferën e inceneratorëve.

Në një bashkëbisedim me gazetarët, Kryemadhi publikoi një video të bërë dje nga inceneratori i Tiranës, ku sipas saj, janë bërë tre gropa dhe një kodër e mbuluar me dhe.

“Ky është rasti më flagrant, ku kryeministri dhe qeveria janë kapur me presh në dorë. Shihni videon e bërë dje nga inceneratori i Tiranës, ku janë bërë tre gropa dhe një kodër e mbuluar me dhe. Ajo që të bën përshtypje është se aty nuk ka asnjë lloj investimi, që e kemi dëgjuar nga kryeministri. Ajo që dua të theksoj dhe që është shumë e rëndësishme është se besoj që të gjithë e mbani mend që në dhjetor të 2021, ne si LSI i kemi shtuar kallëzimit tonë evazionin fiskal që ka ndodhur me kompanitë e Klodian Zotos.

Neve na rezultoi se Zoto kishte kryer evazion në mbi 30 milionë dollarë. Në periudhë pandemie ai kishte kryer udhëtime jashtë shtetit, kur mbi qiellin shqiptar nuk kishte fluturuar asnjë avion. Janë rreth 24 kompani, që kanë bërë bashkëveprim financiar, shitje-blerje, me kompanitë e inceneratorëve. Duke marrë në detaje të gjitha kompanitë, kemi kuptuar që evazioni i këtyre kompanive në total është 189 milionë dollarë”, tha Kryemadhi.

“Ajo që të bën përshtypje dhe që është shumë e rëndësishme është që këtu nuk ka asnjë lloj investimi atë që ne kemi dëgjuar prej kohësh nga kryeministri që koncesionari, Klodian Zoto dhe inceneratorët kanë bërë një investim 128 milionë euro dhe qeveria shqiptare ka blerë shërbimin për 20 euro tonin për të mbledhur mbetjet të cilat janë vetëm në qytetin e Tiranës. Dhe ky faktikisht është një angazhim që mban peng qytetarët shqiptarë duke paguar me ndihmesë të buxhetit të shtetit”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb