Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, tha se lojërat djallëzore të Presidentit Ilir Meta kanë vonuar miratimin e buxhetit të vitit 2021, që sipas tij, është mbështetja më e madhe për shëndetësinë.

Duke folur nga Spitali i Elbasanit, i cili do të shërbejë si Covid-5, Balla theksoi se Kuvendi i Shqipërisë do ta rimiratojë buxhetin e 2021 në seancën plenare të së enjtes.

“Është bërë një punë kolosale për ta pasur edhe Spitalin e Elbasanit në shërbim. Spitali Rajonal i Elbasanit do të jetë një qendër rajonale, do të shërbejë edhe për qendrat rajonale, derisa Korca të jetë gati. Puna është bërë, stafet janë. Ne i kemi të gjitha kapacitetet në këtë spital për të përballuar këtë situatë.

Ne kemi miratuar në buxhetin e këtij viti një mbështetje të madhe financiare për të përballuar gjithë situatën Covid dhe post-Covid. Jemi ndër të paktat qeveri që kemi miratuar në buxhet mbështetje financiare për barnat që përdoren nga familjarët në shtëpi. Duhet të kishte hyrë në fuqi, por lodrat politike dhe djallëzore të Presidentit të Republikës e kanë vonuar, por kjo nuk do të zgjasë më, pas dy ditësh Kuvendi do të rimiratojë buxhetin për t’i hapur rrugë gjithë kësaj mbështetjeje të madhe që i jepet Ministrisë dhe gjithë familjarëve që janë përballur me këtë situatë të vështirë”, tha Balla.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb