Një ditë pasi në rrjetet sociale kritikohet logoja e re e Teatrit Kombetar të Operas si e marrë faqe online, del edhe thirrja që ka hapur TKOB një vit më parë.

Mes kërkesave të Teatrit të Operas në thirrje thuhet shprehimisht se logoja duhet të jetë origjinale dhe moderne, duhet të përfaqësojë filozofinë e institucionit, të jetë e thjeshtë për t’u perceptuar dhe e aplikueshme për çdo formë përdorimi.

Po ashtu thuhet se punimet duhet të jenë origjinale të autorit dhe të papublikuara me herët. Institucioni i Operas ende nuk ka dalë me një sqarim publik për çështjen. Më poshtë, thirrja e plotë publike për konkursin.

Njoftimi i plotë:

KONKURS PËR DIZENJIMIN E NEWBRAND TË TEATRIT KOMBËTAR TË OPERAS, BALETIT DHE ANSAMBLIT POPULLOR.
Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor është tempulli i artit skenik, muzikor dhe baletit, i vetmi institucion kombëtar i këtij lloji në vendin tonë. TKOBAP është institucioni i krijimit, prodhimit dhe interpretimit të repertorit më të mirë skenik gjithëpërfshirës, kombëtar e ndërkombëtar.

TKOBAP ka si mision ruajtjen dhe zhvillimin e vlerave më të mira të teatrit muzikor dhe koreografik, folklorit shqiptar dhe botëror, krijimtarinë e re skenike, ngritjen teknike dhe profesionale, larminë e stileve dhe individualiteteve interpretuese dhe krijuese, edukimin e brezave me veprat më të mira të teatrit muzikor, koreografik dhe folklorik.

Historia e TKOBAP fillon në vitin 1950-të, vit në të cilin u krijua Filarmonia shqiptare, ku bënin pjesë kori i shtetit, orkestra simfonike, këngëtarët lirikë, trupa e baletit, dirigjentët, regjisori dhe një grup i vogël administrativo-teknik.

TKOBAP, në kuadrin e rinovimit rrënjësor të imazhit dhe identitetit të institucionit si dhe në kuadrin e promovimit të imazhit dhe të identitetit të ri të institucionit, shpall konkursin për krijimin e logos së re të TKOBAP, si dhe brandimin e TKOBAP – NEWBRAND & BRANDBOOK &VIDEOKONCEPT I NEWBRANDIT – TKOBAP, të cilat përfshijnë:

Krijimin e logos:

Logoja e re e TKOBAP, duhet të jetë:

Origjinale dhe moderne
Koncepti i logos së re duhet të përfaqësojë filozofinë e institucionit
E thjeshtë për tu perceptuar
E aplikueshme për çdo formë përdorimi

Brandimi:

Nënkupton ridimensionimin, faqosjen, dizenjimin dhe prezantimin e gjithë produktit kancelarik të TKOBAP, duke patur në konsideratë:

Si perdoret logoja e re
Si nuk duhet të përdoret logoja e re
Aplikimet e logos së re në materialet dhe produktet e TKOBAP
Ftojmë të gjithë të interesuarit të marrin pjesë në konkurs dhe të paraqesin propozimet dhe punimet e tyre.

Informacione të përgjithshme:

Konkursi është i hapur për të gjithë.
Punimet duhet të jenë origjinale, të pa publikuara dhe autori duhet të pranojë përgjegjësi ligjore për sa i përket autenticitetit të punimeve të dorëzuara.
Punimet dhe materialet do të dorëzohen të shoqëruara me një deklaratë autorësie si i vetmi zotërues dhe autor i tyre.
Produkti përfundimtar, logo, spot, sigla identifikimit dhe gjithë materialet shoqëruese të brandimit (formatet e zarfeve, letrat zyrtareA4, promocionalet, kartvizitat, veshjet, sinjalistikat etj) sipas kërkesave, duhet të dorëzohen të printuara, fizikisht dhe në CD në të gjithë formatet elektronike, pranë sekretarisë së Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor në adresën: Rruga “Aleksandër Moisiu” Nr.76 Ish Kinostudio “Shqipëria e Re”.
Pjesëmarrësit në konkurs, krahas materialeve dhe punimeve, do të dorëzojnë të gjithë të dhënat e kontaktit.
Të gjitha punimet që plotësojnë të gjitha kriteret do të prezantohen për votim përpara një jurie të caktuar
Punimi i vlerësuar me pikët më të larta nga juria do të shpallet fitues i konkursit.
Vendim i marrë nga juria vlerësuese është përfundimtar dhe i pa negociueshëm.
Në përfundim të konkurimit, fituesi i konkursit do t`i kalojë të drejtat eksluzive TKOBAP-së.
Duke hyrë në konkurs ju pranoni rregullat, termat dhe kushtet.
Kërkesa të posacme:

TKOBAP i kërkon të interesuarve për konceptimin dhe dorëzimin e materialeve për NEWBRAND & BRANDBOOK & VIDEOKONCEPT I NEWBRANDIT – TKOBAP të ndjekin kërkesat, udhëzimet dhe zërat si më poshtë:

Koncepti dhe ideja e logos së re zyrtare të TKOBAP;
Spot videokonceptual për New Brandin e TKOBAP;
Forma e logos së re zyrtare, me të cilën kuptohet gjeometria e logos dhe përmasat e saj;
Logo e re zyrtare me të cilën kuptohet krijimi grafik viziv. Pantonet e logos së re zyrtare, me të cilën kuptohen ngjyrat e logos me kodet përkatëse të tyre;
Tipografia e logos së re zyrtare, me të cilën kuptohet fonti i gërmave të përdorura në logo;
Logo e re zyrtare në të gjithë formatet e aplikueshme të saj, që do të përdoret në kancelari, vulën e institucionit, në letrat zyrtareA4, në zarfe të formateve të ndryshëm, etj;
Shembuj se si nuk duhet të përdoret Logo e Re;
Logo e re zyrtare, që do të përdoret në reklamat outdoor dhe indoor;
Rregulli grafik i Posterave,billboardeve, si:
përdorimit të logos së re
përdorimit të fotove
fonti dhe rregulli i përdorimit të shkrimit të përdorur.
Si nuk duhet përdorur Logo e re
Sinjalistikat e objektit te institucionit TKOBAP, indoor dhe outdoor, ku përfshihen:
Sinjalistika e dyerve
Të sallës
Ndarjeve të koridoreve
Ndarjes së departamenteve
Holli i hyrjes promocionet
Dizajni i vendit të posterave të shfaqeve
Biletaria
Flamuj të TKOBAP
Dizajni dhe prezantimi i:
Biletave
Dhuratave të ndryshme
Stemës së TKOBAP
Veshjeve të personelit si te biletaria,punonjësit e salles dhe te pritja në hyrje.
Bagot e tyre
Broshurave të ndryshme
Kartvizitat
Promocionalet,bluza, mbajtëse celësash , kartolina, kalendarë,ftesa, etj
Logimi i faturave
Sigla e identifikimit të TKOBAP-së, me të cilën kuptohet pjesa muzikore (e pa kënduar) e shoqëruar me pjesë vizuale, me kohëzgjatje të caktuar 15sek.

Të gjithë formatet e materialeve sipas kërkesave të zërave të mësipërm duhet të dorëzohen pranë TKOBAP me qëllim prezantimin e tyre pëpara jurisë vlerësuese.
Afati i aplikimit dhe cmimi i konkursit:

Ftojmë të gjithë të interesuarit të marrin pjesë në konkurs dhe të paraqesin propozimet dhe punimet e tyre nga data 23 Janar 2020 deri në datën 24 Shkurt 2020.

Punimet duhen dorëzuar brenda datës 24 Shkurt 2020.

Fituesi i konkursit do të shpërblehet me një vlerë prej 1,845,000 lekë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb