Universiteti “Luarasi” zhvillon shfaqjen e filmit “Nuk do të ketë më natë”, ceremonia hapëse e së cilës është bërë mbrëmjen e kaluar, ndërsa në ditët 20-25 shtator do të projektohen prodhimet për kinematografinë.

Në fjalën e tij, Rektori i Universitetit “Luarasi”, Et’hem Ruka, theksoi se këtë vit debati do t’i kushtohet të drejtave të njeriut, teksa foli dhe për periudhën e pandemisë, ku shtetet të detyruar nga situata, morën masa, që kufizonin të drejtat dhe liritë e njerëzve.

Më tej, Ruka foli dhe për inteligjencën artificiale, ku e cilësoi teknologjinë si frymëmarrjen dhe oksigjenin e të gjithë shoqërisë njerëzore.

“Të gjithë besoj se e njihni Kujtim Cashkun, që është drejtor i Akademisë së Mutlimedias. Ai ka marrë përsipër që nga viti 2004 të përgatisë profesionistë në fushën e kinematografisë. Tashmë është bërë traditë që gati çdo vit organizohet festivali i filmit. Mbrëmë ishte ceremonia e hapjes, që ishte një ceremoni dinjitoze. Nga data 20-25 do të projektohen prodhimet për kinematografinë, që mund të shërbejnë në fund si pikënisje për një debat. Këtë vit debati i kushtohet të drejtave të njeriut.

Bota ka kaluar një periudhë të vështirë me pandeminë, që vijon ende. Të gjithë e kemi përjetuar, por nuk është aq e lehtë të humbasim të drejtat dhe liritë tona përballë një pandemie. Shtetet kanë qenë të detyruara të merrnin masa. Kur nuk i kemi liritë, atëherë kujtohemi për to. Sot do të projektojmë një film francez, në thelb të së cilit është inteligjenca artificiale. Inteligjenca artificiale rritet në mënyrë eksponenciale, pra 2,4,8,16, e kështu me radhë. Sot pa teknologji nuk mund të bëjmë, është frymëmarrje e gjithë shoqërisë njerëzore. Sot nuk ka cep të shoqërisë njerëzore dhe kënd të planetit, që mos të përdorë teknologjinë, pa të cilën nuk do të mund të bëjë dot. Teknologjia është sot oksigjeni i shoqërisë.

Duhet të imagjinojmë për një çast sikur të mos punojë internet, sistemet e informacionit, nuk do të punonin bankat, nuk do të kishte shërbim ajror, nuk do të punonte administrata. Pra, gjithçka është e lidhur me to. Është arma më e suksesshme, por edhe më e rrezikshme, nëse nuk përdoret në mënyrën e duhur. Dronët sot funksionojnë mbi bazën e inteligjencës artificiale, por ato mund të bëhen edhe të rrezikshëm, dhe këtu kemi të bëjmë me fushën e të drejtave të njeriut”, tha Ruka.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb