Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë dhe drejtuesve të institucioneve të sigurisë, duke e vendosur çështjen e SHISH dhe hetimet për dosjen e AKSHI-t në qendër të fjalës së tij në mbledhjen e Kryesisë së PD-së.

Berisha pretendoi se zhvillimet e fundit tregojnë se vendi ndodhet përballë një prej skandaleve më të rënda që lidhen me sigurinë kombëtare, ndërsa përgjegjësinë politike ia faturoi drejtpërdrejt kryeministrit Edi Rama.

Kryedemokrati bëri një paralelizëm mes akuzave të tij ndaj Belinda Ballukut dhe Vlora Hysenit, duke u shprehur  se në rastin e kësaj të fundit është cenuar një prej elementeve më të rëndësishme të shtetit, siguria kombëtare.

“Në qoftë se Lubia ka vjedhur qindra e qindra milionë euro, Lubia tjetër e SHIK-ut ka vjedhur më të çmuarën e një shteti, më të çmuarën e një kombi, atë që quhet siguri kombëtare”, deklaroi Berisha.

Kreu i PD-së pretendoi se personi që mbante përgjegjësi të drejtpërdrejta për ruajtjen e sigurisë kombëtare dhe sekretit shtetëror ishte përfshirë në atë që ai e cilësoi si një grup të strukturuar kriminal. Në vijim, ai u ndal te dosja e AKSHI-t, duke pretenduar se përmes kontrollit të sistemeve të komunikimit janë vënë në rrezik të dhënat e qytetarëve shqiptarë dhe të huajve që ndodhen në territorin e vendit. Berisha shkoi më tej me akuzat, duke pretenduar se të dhënat e siguruara përmes këtyre sistemeve u janë vënë në dispozicion jo vetëm grupeve kriminale, por edhe aktorëve që ai i cilësoi si kundërshtarë të Shqipërisë dhe NATO-s.

“Të nderuar anëtare dhe anëtarë të kryesisë së PD, nënkryetarë të saj, sekretarë të kësaj partie, të dashur demokrate e demokratë dhe mbështetës të PD.

Kryesia e PD mblidhet sot në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për vendin.

Ne mblidhemi në një kohë kur regjimi i narkoshtetit, regjimi i Edi Ramës, ka marrë goditjet më të rënda në tërës ekzistencën e tij.

Diskreditimin më të madh.

Ka humbur çdo legjitimitet që të qeverisë këtë vend.

Është sot qeveria më e damkosur në Evropë dhe më gjerë.

Çdo ditë e më shumë ky regjim u provua ashtu siç e kemi paraqitur, narkoshteti i parë dhe i vetëm në Evropë.

Është faktuar si vendi në të cilin shteti ligjor është zëvendësuar me shtetin e mafies dhe të drogës.

Është faktuar si regjimi, në të cilin kartelet e drogës, që përbëjnë një rrezik të madh jo vetëm për shqiptarët, por për rajonin, Evropën dhe hemisferën perëndimore, ka humbur prapë çdo të drejtë të qeverisë këtë vend.

PD është përpjekur të paraqesë të vërtetën e Shqipërisë para shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar.

Ajo është pararendëse e denoncimit në Shqipëri dhe në botë të të gjitha zhvillimeve në këtë vend.

Prej 112 ditësh, në rrugë dhe sheshet e Tiranës, qytetarët e Tiranës, ndër ta edhe qindra dhe mijëra demokratë, vazhdojnë një betejë të pandërprerë me të cilën në rrafshin moral kanë tërhequr zvarrë njëlloj si rinia dhe qytetarët në vitin 1991, shtatoren e Enver Hoxhës, kanë tërhequr zvarrë Edi Ramën dhe regjimin e tij.

Zinxhiri i skandaleve, libri i zi i këtij regjimi shpalos çdo javë një kapitull të ri gjithnjë e më të shëmtuar.

Në qoftë se Lubia ka vjedhur qindra e qindra milionë euro, Lubia tjetër e SHIK-ut ka vjedhur më të çmuarën e një shteti, më të çmuarën e një kombi, atë që quhet siguri kombëtare.

Me Kushtetutë, me ligje, personi më përgjegjës direkt i sigurisë kombëtare dhe sekretit shtetëror rezulton një anëtare e shëmtuar e një grupi të strukturuar kriminal që e kemi quajtur me të drejtë grupi mafioz më i rrezikshëm i Evropës.

Grupi mafioz i AKSHI-t është grupi mafioz më i rrezikshëm në Evropë sepse ai vendosi me urdhër të Edi Ramës, në kontroll të plotë dhe total, internetin dhe komunikimin me internet për shqiptarët dhe të huajt në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Një akt i pashembullt.

Vendosi të gjitha këto të dhëna në dispozicion të grupeve dhe organizatave kriminale, por edhe të armiqve të NATO-s, armiqve të Shqipërisë dhe armiqve të partnerëve tanë.

Njeriu, që përfaqësonte Shqipërinë në partneritetin më të rëndësishëm, më delikat, më serioz, partneritetin me shërbimet e vendeve mike, rezulton se ishte një anëtare e grupeve më të rrezikshme mafioze kriminale.

Rezulton se ajo ishte e padenjë për asnjë lloj besimi”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb