Për të kuptuar pse Janik Siner, Arina Sabalenka dhe emrat më të mëdhenj të tenisit kanë firmosur një letër të ashpër kundër turneve Slam, duhet parë përtej shumës së shkruar në çeqet e fituesve. Tenisi po përjeton periudhën më të pasur financiarisht në histori, por protagonistët ndihen sikur marrin vetëm “thërrimet” e një fondi miliardësh.

Debati nuk lind sepse shpërblimet janë të ulëta në kuptim absolut, fitimi i një Slami vazhdon të ndryshojë jetën e një sportisti, por për shkak të përqindjes së të ardhurave që u ndahet lojtarëve, e njohur teknikisht si “Revenue Share”. Katër turnetë më të rëndësishëm në botë (Australian Open, Roland Garrosi, Uimbëlldoni dhe US Open) gjenerojnë të ardhura marramendëse kryesisht falë të drejtave televizive dhe sponsorëve.

Megjithatë, ndërsa në turnetë Masters 1000 (si Roma apo Indian Uells) lojtarët përfitojnë rreth 22% të të ardhurave, në Slam kjo kuotë bie ndjeshëm. Në Roland Garros, për shembull, pavarësisht të ardhurave të parashikuara mbi 400 milionë euro për vitin 2026, pjesa e dedikuar për fondin e shpërblimeve mbetet nën 15%. Problemi thellohet edhe nga fakti se turnetë po fitojnë gjithnjë e më shumë (+14% gjatë vitit të fundit), ndërsa përqindja që përfundon në xhepat e atyre që zbresin në fushë është madje në rënie, nga 15.5% në vitin 2024 në 14.9% aktualisht.

SITUATA AKTUALE

Në shpërblimet për kategorinë individuale, të dhënat konfirmojnë se Roland Garrosi, edhe pse ka rritur buxhetin me 9.5%, mbetet Slami më pak bujar nga të katërtit. Nuk është rastësi që firmëtarët e protestës janë fytyrat kryesore të sportit, duke nisur nga nga Siner te Sviatek, për të vijuar me Alkarazin apo Sabalenkën. Kërkesa e tyre është strukturore dhe përqendrohet në tre pika kryesore:

1.Rritja e prize money në 22% të të ardhurave totale të turneut.

2.Përfshirja e lojtarëve në tryezën e vendimmarrjes, që aktualisht kontrollohet vetëm nga federatat kombëtare.

3.Krijimi i fondeve mbështetëse për lojtarët që nuk arrijnë majat e renditjes, duke garantuar një qark më të qëndrueshëm për të gjithë.

Screenshot 2026-05-09 152111

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb