Partia Demokratike ka arritur të ruajë mandatin e katërt në Qarkun e Lezhës pas një gare jashtëzakonisht të ngushtë me Partinë Socialiste. Me vetëm 70 vota diferencë, PD siguroi përfaqësimin e katërt në Kuvend nga ky qark, në një proces që u karakterizua nga tensioni, rivaliteti i fortë politik, por edhe në fund pranimi i rezultatit.
Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), PD arriti të marrë 33.524 vota, ndërsa PS 33.299 vota.
Vota e diasporës nuk mjaftoi për të përmbysur avantazhin e PD-së brenda territorit, ndonëse rezultati final u nda vetëm për disa dhjetëra zarfe.


Kjo garë në Lezhë vlerësohet si një nga më të ngushtat në zgjedhjet e 11 Majit, ku çdo votë ka pasur rëndësi vendimtare.
PD çon në Kuvend kështu, për Qarkun e Lezhës, Agron Gjekmarkajn, Elda Hotin, Gjin Gjonin dhe Kastriot Pirolin. Ndërsa socialistët Ulsi Manjën, Ermal Pacjan dhe Marjeta Nelin.
Ruajtja e mandatit të katërt nga PD në Lezhë është një “fitore” modeste për opozitën e cila do të ketë 50 deputetë në Kuvendin e ardhshëm, ndërsa socialistët 83. Ulëset e tjera i përkasin PSD-së 3 deputetë, Mundësia 2 dhe Nisma-Shqipëria Bëhet e Lëvizja Bashkë nga një mandat.
REZULTATET E ZGJEDHJEVE TË 11 MAJIT
(BalkanWeb)