Shkrimtari i njohur, Bardhyl Londo i ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24, kujtoi sot mikun e tij Moikom Zeqon, që u nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë.

Ndërsa foli për anën tjetër të Zeqos, jo vetëm si studiues e shkrimtar, Londo rrëfeu se nuk e kishte besuar telefonatën që kishte marrë në mëngjes, ku i komunikohej lajmi i hidhur.

“Duke e njohur forcën e tij si mendore dhe fizike, se bënte edhe ato zhytjet nën ujë, nuk e prisnim këtë humbje. Sot kur më morën në telefon mbeta pa fjalë. Nuk donim që java të niste kështu me këtë lajm. Nuk donim të humbnim një njeri të rrallë si ai. Shqipëria humbi një intelektual shembull, një njeri aktiv. Eseist, poet, prozator që ka vendin e tij në botën e letrave shqipe. Një personalitet të gjithanshëm. Vepra e tij besoj do kujtohet gjithmonë”,- thotë Londo.

Ai tregoi më pas për herën e fundit kur janë takuar e kanë ndenjur bashkë.

“Kemi ndenjur gjatë për herë të fundit, ka ca kohë nuk ishim në Shqipëri, por në Shkup. Ishim në Panairin e Librit. Ishte gjithë energji ai, na nxiste t’i bënim gjërat kur ne përtonim. Ai nuk rrinte asnjë sekondë pa bërë diçka. Më foli për projektet që kishte, se nuk rrinte dot ai pa bërë diçka. Ditët dhe mbrëmjet i kalonim bashkë. Vuajti shumë në spital, me aty hyrje-daljet, me kimioterapinë”,- tha ai më tej.

Më tej ai shtoi: “Mos i provoftë njeri vuajtjet torturuese të tij, por ai ishte një njeri i fortë. Kur mora vesh që e kishte goditur kjo sëmundje, për të mos ia zënë as emrin me gojë, thashë si ka mundësi të goditet ai?! Luftoi fort me atë, është e pamundur t’ja dilje asaj sëmundje që i ra Moikomit”.

Londo tha ndër të tjera se, Zeqo “ishte tipik si këta rilindasit e fundit europian. Mbi të gjitha ishte shqiptar, e donte Shqipërinë të bashkuar, të luftojnë të gjithë për të njejtin qëllim. Pavarësisht aderimt në PS për mua ishte një rilindas që e donte Shqipërinë…”, thotë ai ndër të tjera.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb