Familjarë, miq e kolegë u mblodhën për të kujtuar një vjetorin e ndarjes nga jeta e profesorit dhe studiuesit të shquar, Aleks Luarasi. Profesori u nda nga jeta një vit më parë në moshën 80-vjeçare. Profesor Aleksi ka edukuar me dhjetëra breza studentësh, prej të cilëve do të mbahet mend për artin e tij të mësimdhënies, durimin, mençurinë, pasionin dhe thjeshtësinë.

Për rektorin e universitetit “Luarasi” Ethem Rukën, profesor Aleks Luarasi ka qenë jo thjesht themelues i universitetit “Luarasi”, rreth dy dekada me parë por edhe një ikonë shpirtërore dhe intelektuale-akademike për studentët, profesorët dhe të gjithë ata që e njohën e që sot e kujtojne me mall. Pedagogët dhe studentët e fakultetit të Drejtësisë të cilët u brumosën nga ai, me pronën intelektuale por edhe me shpirtin e drejtësisë dhe të vërtetës, iu përulën duke e falenderuar për gjithë veprën që la pas. Ndër ta ishte ish studentja e tij më pas pedagogia e Drejtësisë prane universitetit “Luarasi” Blerina Shkurti.

“Meditime” ishte libri qe profesor Luarasi e la të pabotuar pasi u nda nga jeta. Nën kujdesin e familjes dhe miqeve e kolegeve libri u promovua duke treguar sërish vlerat e jashtëzakonshme të profesorit si intelektual me vlera i cili gjithë jetën e tij ia kushtoi studimeve të thelluara të historisë politike dhe juridike të kombit shqiptar. Gjatë eventit u shfaq edhe dokumentari kushtuar jetës se tij ku nuk munguan edhe mbresat nga bashkëpuntorët e tij ndër vite. Aleks Luarasi ka qenë profesor i Historisë së Shtetit dhe të së Drejtës, ndërsa ka shkuar edhe shumë libra studimore. Në vitin 2018 u dekorua me titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës, me motivacionin “Pionier i Arsimit”. Po ashtu Luarasi ka shërbyer si Sekretar i Përgjithshëm pranë Kryeministrisë dhe ka qenë anëtar i Komisionit të Venecias pranë Këshillit të Europës nga viti 1992 deri në vitin 1998.

(News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb