Nga: FATMIRA NIKOLLI*
TIRANE- Aktorja e njohur Luiza Xhuvani rikthehet në teatër. Lajmi konfirmohet nga Kiço Londo, drejtor i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Në një prononcim për “GSH”, ai tha dje se aktorja ka firmosur një kontratë njëvjeçare me TKEKS. Megjithatë, ende nuk dihet se në cilat pjesë do angazhohet Xhuvani, pasi kjo mbetet për t’u diskutuar në vijimësi, por përkundër kësaj, ajo nuk do të qëndrojë gjatë larg skenës. Prej muajit nëntor, kur djali i aktores u përfshi në një ngjarje ku mbetën të vrarë katër vetë, ajo ka qëndruar larg medias. Pak ditë pas ngjarjes së rëndë, që pati si autor Kostandin Xhuvanin, artistja dha dorëheqjen nga posti i deputetes në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, duke u tërhequr nga jeta publike. Sot, dy muaj më vonë, mësohet se ajo do të rikthehet, por tashmë në profesionin e saj të parë, me të cilin u bë e njohur shumë vite më parë, e të cilin nuk e la as gjatë kohës kur qe pjesë e ligjvënies. Kalendari i viteve 2015-2016 parashikon disa shfaqje, ku ajo mund të gjejë veten, nëse kemi parasysh që Xhuvani ka luajtur shumë role dramatike të emrave të njohur të teatrit botëror. Ajo ka zgjedhur të bashkëpunojë me një prej emrave më të njohur të teatrit, z. Kiço Londo, aktualisht drejtues teatri. Me London, ajo ka bashkëpunuar edhe përgjatë viteve të fundit, kur mbante detyrën e deputetes së Partisë Socialiste. Pjesa e fundit që ajo pati vënë në skenë ishte “Zonjushë Margarita”, me regji të Londos, pjesë e cila korri sukses edhe në Athinë. REPERTORI Në prezantimin që Kiço Londo i bëri kalendarit artistik të TKEKS në shtator 2014, bëri me dije se cilat do të jenë pjesët që ngjiten në skenë në vitet 2015-2016. Në ndonjë prej tyre, me shumë gjasa, Xhuvani do të marrë rolin kryesor, për shkak të aftësive aktoriale, për shkak të eksperiencës së gjatë në skenë dhe për shkak të karrierës së saj ndër vite.

Siç qe shprehur Londo, TKEKS do të shfaqë: dy vepra të Shekspirit, “Makbethi” dhe “Hamleti”, Anton Çehov me “Tri motrat”, si dhe “Arturo Ui” i Bertolt Brecht, “Shiko kush erdhi” i Ray Cooney, “Gënjeshtër për gënjeshtër” i Anthony Neilson, “Tradhtia e Anjshtajnit” i Eric Emmanuel Schmitt, “Njeriu që pa vdekjen me sy” i Viktor Eftimiut dhe “Pas vdekjes” i Andon Zako Çajupit. Mandej, në TKEKS do vihen edhe pjesë të tjera, por ato nuk duket se qëndrojnë në rolet që Xhuvani merr dhe janë jashtë fokusit të saj si aktore. Në teatër, ajo ka interpretuar vazhdimisht role protagoniste, si në dramat “Unë dhe Mefistofeli” (Margarita) të B. Hoxhës, “Dhelpra dhe rrushi” (Klea) të Figueiredos, “Dasmë gjaku” (Nusja) të Lorkës, “Rikardi III” (Ledi Ana) të Shekspirit, “Kati VI” të Alfred Zheri, “Këngëtarja tullace” (Misis Martin) të Ioneskos dhe komeditë “Valsi i Titanikut” (Xhena) e “Oportunesku” të Mushateskut, “Kopshti me dallëndyshe” (Maria) të Cikliropulosit, “Armiku i popullit” (Pietra) të Ibsenit, “Pulëbardha” (Nina) të Çehovit, “Cilindri” (Rita) të De Filipos, regjisor Kastriot Çipi dhe “Kapitulli i dytë” (Xheni) të Sajmonit, regjisor Mehmet Xhelili, me të cilin fiton çmimin për Aktoren më të Mirë të Festivalit të Aktrimit, Apollon 2004, në Fier. Jashtë kësaj skene, interpreton në produksionet e pavarura të dramave “Valle Vdekjeje” të Strindbergut dhe “Shërbëtorët” (Kler) të Zhenetit.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: