Investimi i Bashkisë Lushnjë për ndërtimin e dy rrugëve në lagjen “18 Tetori” është lënë përgjysmë, duke shkaktuar pakënaqësi te banorët e zonës. Në nëntor të vitit 2025 në rrugët “Hysni Gorovelli ” dhe “Athina Dhimitri” u shembën muret rrethuese të oborreve, si dhe u hapën kanalizimet, ndërsa punimet u pezulluan më 25 dhjetor. Ndonëse investimi prej 320 milionë lekësh parashikohej të mbyllej brenda 5 muajve, banorët ngrenë shqetësimin se lënia hapur e pusetave ka shkaktuar erë të rëndë në zonë.

Për situatën e krijuar në këto dy rrugë, të mbetura mes investimit dhe rrënimit ka reaguar edhe anëtari i Këshillit Bashkiak Lushnjë, Klement Çela i cili kërkon nga autoritetet vendore rifillimin e punimeve që po financohen me paratë e qytetarëve.

E pyetur për këtë problem, kryebashkiakja Eriselda Sefa konfirmon se ndalimi i punimeve ka ndodhur, për shkak se Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve Rajoni Lushnje ende nuk ka gjetur kuotat e shkarkimit të kanalizimeve të ujërave të zeza për banesat në lagjen “18 Tetori”, ku u nis investimi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb