FIER- “BalkanWeb” ka siguruar pamjet nga vendi i ngjarjes, ku një makinë përplasi për vdekje dy këmbësorët si dhe një tjetër mbeti i plagosur në fshatin Arapaj të Roskovecit.

Në pamjet e siguruara për “BalkanWeb” nga gazetari Ervis Kuci shihet mjeti i dëmtuar në pjesën e përparme si dhe mungesa e ndriçimit në këtë aks rrugor.

Viktimat janë Amarildo Dogani dhe Festim Dogani, kushërinj me njëri-tjetrin. Gjithashtu është plagosur edhe një këmbësor i tretë i identifikuar si Martin Dogani 22 vjeç.

Dyshohet se makina tip “Volkswagen” e drejtuar nga Amarildo Çalamani ka qenë me shpejtësi dhe pasi ka hipur në trotuarin e këmbësorëve ka perfunduar në një kanal. Drejtuesi i mjetit është larguar pas aksidentit, por është arrestuar pak minuta më vonë nga policia.

Njoftimi i policisë:
Në datën 26.08.2018, në orën 20:40, në urgjencën e Spitalit Fier janë sjellë në gjendje të rëndë shëndetesore e më pas kanë ndërruar jetë shtetasit A.D, 29 vjeç dhe F.D, 21 vjeç, të dy banues në fshatin Arapaj, Roskovec.

Nga të dhënat paraprake, të dy shtetasit janë aksidentuar në fshatin Arapaj, nga një mjet që drejtohej nga shtetasi A.Ç, banues në fshatin Arapaj.

Dy viktimat kanë qënë këmbësorë ndërsa mjeti ka dalë nga rruga dhe ka rënë në kanal.
Grupi hetimor ka shkuar drejt vendngjarjes dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij aksidenti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: