TIRANË- Një automjet ka shpërthyer mëngjesin e sotëm në zonën e Kombinatit, ndërsa ka mbetur i plagosur rëndë drejtuesi 34-vjeçar. Sipas burimeve zyrtare ngjarja ka ndodhur ndërsa Elton Imeri, shef i Policisë Ushtarake në Durrës ka qenë duke lëvizur nga banesa e tij tek “Rruga e Qelqit” në drejtim të Tiranës.
Policia thotë se automjeti tip “Volkswagen” me targa AA 880 BX ka shpërthyer në lëvizje dhe 34-vjeçari është plagosur në gjymtyrët e poshtëm dhe sipas mjekëve ka humbur njërën këmbë. Ai është dërguar me ambulancë në Qendrën Spitalore të Traumës ku ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.

Policia po heton për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa dyshohet se shpërthimi në automjet mund të ketë ardhur nga impianti i gazit ose nga ndonjë atentat me tritol. 34-vjeçari Imeri është oficer në Policinë Ushtarake në Tiranë. Ai ka qenë duke udhëtuar i vetëm në kohën që ka ndodhur shpërthimi duke shkuar për në punë. Automjeti është dëmtuar plotësisht në anën e majtë, nga ana e shoferit.

Sipas dëshmitarëve shpërthimi ka qenë shumë i madh dhe ka shkaktuar panik, për shkak edhe të kohës kur ndodhi ngjarja, kur njerëzit lëvizin për të shkuar në punë.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb