TIRANË

Për ish-ministrin e Financave, profesorin e ekonomisë Arben Malaj sigurimi duhet të bëhet i detyrueshëm. I ftuar në “Real Story” në News24, Malaj tha skemat e sigurimeve kanë dy tipare, e para është skema solidare dhe e dyta bazohet në ndarjen e riskut ku as shteti, as individi dhe as kompanitë e sigurimit nuk mund ta mbajnë dot të gjithë barrën të vetëm.

Sipas tij duhet të bëhen disa propozime alternative për skema.

“Jam që sigurimi të bëhet i detyrueshëm, qeveria të ndajë kë do subvencionojë nga shtresat sociale. Në një ekonomi që bëhet gjithmonë e pasiguritë për shkak të shtimit të fatkeqësive natyrore , biznesi më i sigurt është ai i sigurimeve. Te ne ka ende vend për ta rregulluar dhe përmirësuar atë. Skemat e sigurisë qoftë e pronës qoftë e jetës kanë dy tipare kryesore. E para është skema solidare dhe e dyta bazohet në ndarjen e riskut ku as shteti, as individi dhe as kompanitë e sigurimit nuk mund ta mbajnë dot të gjithë barrën të vetëm. Duhet të mësoheni të bëjmë siguracionin e shtëpisë dhe të jetës. Pas tërmetit kultura e komunikimit është gjithashtu e rëndësishme. Të paktën AMF, kompanitë siguruese, shoqata e banka duhet të sqaronin banorët pasi ishin në panik dhe nuk dinin asgjë në lidhje me sigurimin që kishin bërë dhe përftimin që kishin. Rolin kryesor në marrëdhënie me publikun e ruan një institucion publik që krijohet me ligj të veçantë që është AMF dhe pastaj hapat e tjerë deri sa njerëzit të sqarohen për situatën” u shpreh Malaj.

“Të bëhen disa propozime alternative për skema, disa propozime për nivelet. Të qartësohet. Procesi të jetë i mirë, jo thjesht të dalë një ligj”, u shpreh më tej ai.

Për Presidentin e Eurosig Kadri Morina është shumë e rëndësishme krijimi i një kulture për sigurimin.
“Ndodhi tërmeti në Korçë, 1 mln euro dëme. Ndodhi në Durrës, nesër nuk do ndodhë më ky tërmet ndoshta por do ndodhin përmbytje në Shkodër. Pra, çështja është krijimi i një kulture që të parapërgatitemi”, theksoi ai.

Profesori i ekonomisë në universitetin “Luarasi” Mateo Spaho tha se dëmi më i madh tek bizneset apo njësitë e prodhimit nuk është thjesht muret apo tavani që ka rënë, dëmi më i madh është mosprodhimi. ‘Ato produktin e kanë të prenotuar, mospërmbushja e kontratës çon edhe në gjyq. Është domosdoshme që edhe aktivitetet prodhuese të jenë të siguruara”, deklaroi Spaho.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb