TIRANE– Romani “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” i shkrimtares Mira Meksi u përzgjodh nga juria kombëtare për të marrë pjesë në konkusin për çmimin e madh letrar “Balkanika 2014”. Juria ndërkombëtare e shpall këtë çmim në 4 tetor 2015 nëe Sofje të Bullgarisë. Shkrimtarja Mira Meksi merr pjesë për herë të dytë në këtë kompeticion.
“Romani i Mira Meksit “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” – një rrëfim midis historisë dhe legjendës, në një sfond jo vetëm gjeografik por dhe kulturor-mitologjik iliro-helenik, ka një përmasë mesdhetare ballkanike që e bën konkurrent në një ballafaqim veprash që pretendojnë çmimin “Ballkanika”, ka argumentuar juria kombëtare.
Romani “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” u botua në shqip nga Toena, në tetor të vitit 2014. Çmimi letrar Balkanika ndahet sivjet për të 18-in vit radhazi.
Më parë atë e kanë fituar David Albahar nga Serbia, Anton Donchev nga Bullgaria, Nikos Bakolas nga Greqia, Vasile Andru nga Rumania, Venko Andonovski nga Maqedonia, Fatos Kongoli nga Shqipëria, Ayfer Tunç nga Turqia, Dimitar Shumnaliev nga Bullgaria, Maro Douka nga Greqia, Tahsin Yücel nga Turqia, Vladislav Bajac nga Serbia, Sema Kaygusuz nga Turqia, Ismail Kadare nga Shqipëria, Aleksandar Prokopiev nga Maqedonia dhe Nedim Gürsel nga Turqia dhe Zdravka Evtimova nga Bullgaria.
Juria Kombëtare e përbërë nga prof. Jorgo Bulo (kryetar), prof. Ali Aliu, si dhe Piro Misha, Diana Çuli, Preç Zogaj e Sonila Kapo punoi dhe shqyrtoi prurjet në letërsinë shqipe gjatë tre viteve 2012, 2013, 2014. Me më pas vendosi që në këtë edicion të përfaqësohemi me romanin e shkrimtares së mirënjohur Mira Meksi “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë”.
(el.sp/BalkanWeb)
