NGA JETON SELIMI

Rei Manaj ka qenë heroi i skuadrës së të rinjve të Interit dje, sepse shënoi 2 gola në barazimin 2-2 kundër Lacios, duke çuar zikaltrit në finalen e Kupës së Italisë. Në vajtje kishte fituar Interi 1-0, por kthimi rezultoi shumë i ndërlikuar, sepse Lacio arriti të përmbyste golin e parë të ndeshjes, shënuar nga Manaj në minutën e 69-të, me një gjuajtje të shkëlqyer nga jashtë zone. Nën një rrebesh që e bëri fushën mjaft të vështirë për të luajtur, Lacio shënoi dy gola të shpejtë në minutat 73 e 74-ër, por finalen skuadrës romane ia hoqi sërish sulmuesi shqiptar, i cili në minutën e 79-të shënoi sërish, gjatë një rrëmuje në zonë, pas një goditjeje nga këndi.

Tani Interi pret fituesit e Fiorentina-Juventus, por ndërkohë i gëzohet Manajt, i jashtëzakonshëm edhe për impenjimin e treguar, sepse dikush tjetër ndoshta do të refuzonte të luante te të rinjtë, pas disa muajsh në ekipin e parë. Edhe trajneri Stefano Veki i bën komplimente sulmuesit të Kombëtares sonë: “Këta gola i bëjnë mirë atij, që ka nevojë të luajë, por edhe neve, për të shkuar përpara. Dha maksimumin, u rrit me kalimin e minutave dhe na ndihmoi jashtëzakonisht”. Vetë Manaj pas ndeshjes deklaroi: “Fituam duke luajtur me zemër, me shpirtin e duhur. Jam i kënaqur. Po luaj me të rinjtë që të jem gati sa herë të kenë nevojë skuadra e parë dhe Kombëtarja. Unë ndihem lojtar i skuadrës së parë”.

Pas dëmtimit të pësuar në ndeshjen kundër Ajaksit, më 23 janar, Milot Rashica është gati të kthehet te Vitese, që e pret me padurim, pasi mungesa e talentit shqiptar i ka prishur shumë punë. Që prej sfidës kundër Ajaksit, Vitese ka luajtur edhe 3 ndeshje të tjera pa Rashicën, duke mos fituar asnjë takim e duke shënuar vetëm një gol, shenjë e qartë se mungesa e anësorit ofensiv ka lënë një boshllëk të madh në repartin ofensiv.

Me 7 gola të shënuar në 19 ndeshje, futbollisti i Shqipërisë U-21 ka qenë ndër zbulimet e sezonit në Holandë, duke ngjallur interesimin e shumë klubeve të rëndësishme. Ditën e sotme më në fund Rashica është kthyer në stërvitje dhe Vitese shpreson ta ketë të gatshëm që të shtunën në mbrëmje, kur të presë Herenvenin, në një sfidë që duhet ta fitojë me çdo kusht.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: