NGA: ENIDA HIMAJ* Të gjithëve na ka rastisur ta shikojmë Marinën gjatë fushatës elektorale. Vajza që u bë e famshme nga “Big Brother”, është angazhuar kohët e fundit me politikë. Megjithatë edhe në këtë fushë nuk e ka pasur shumë të lehtë, pasi jo rrallë herë është vënë në qendër të vëmendjes. Tashmë jeta e Marinës ka ndryshuar ndjeshëm. Nuk kalon më shumë kohë në fshat, dhe mesa duket kjo i mungon. E nëse të gjithë prisnit që mes saj dhe Kikës të ndodhte diçka më shumë, vetë vajza nga fshati i Kavajës rrëfen se janë vetëm miq të mirë. Mirëpo ajo na sfidon për të zbuluar personin që tanimë ka në krah, duke pranuar kështu se ka gjetur një tjetër dashuri.

Kohët e fundit po merresh dhe me fushatë, si të erdhi ftesa për të qenë pjesë e PS?
Në fakt nuk ka pasur një ftesë. Ka qenë thjeshtë dëshira ime për të dhënë kontributin tim sado të vogël për ndryshimet pozitive që ne besojmë se do të ndodhin në fshat dhe të gjithë komunën që do i bashkohet Kavajës pas zgjedhjeve.

A jeni angazhuar më herët me politikë, apo mendoni se pasi morët famë nga “Big Brother” iu mundësua kjo gjë?
Nuk jam angazhuar më parë në politikë dhe nuk e shoh as tani si një angazhim. Shpresoj se përfshirja ime në fushatën e kryebashkiakut Rroshi të ndihmojë sadopak në fitore.

Pas zgjedhjeve, a do ta shikojmë Marinën në një punë, çfarë roli do të merrni, nëse Partia Socialiste fiton në Kavajë?
Prioriteti i momentit është të përfundojmë suksesshëm fushatën me qëllim rikonfirmimin e kryebashkiakut aktual të qytetit të Kavajës.

Si i keni marrëdhëniet me Elvis Roshin, jeni miq, kaloni kohë bashkë edhe jashtë fushatës?
Me kryebashkiakun Rroshi kemi një marrëdhënie korrekte që lidhet me fushatën elektorale kryesisht në komunat e Kavajës. Të them të drejtën më shumë njoh punën e Rroshit që ka bërë në qytet se sa vetë atë. Kjo është edhe arsyeja e angazhimit tim.

Po me kandidatin e djathtë, si i keni marrëdhëniet, ju ka përmendur në fjalimet e tij?
Nuk kam asnjë kontakt. Kam dëgjuar se disa herë më ka përmendur në takimet elektorale, gjithsesi kjo gjë më intereson shumë pak. Ai është shprehur se në fushatë ai shoqërohet nga Eduart Halimi, ndërsa Elvis Roshin e shoqëron Marina e “Big Brother”. Kjo ishte deklarata e tij për mua personalisht.

A jeni ndjerë e fyer nga ana e tij?
Nëse them që jam ndjerë e fyer do ta mbivlerësoja.

Çfarë keni për t’i thënë si kundërpërgjigje?
Asgjë. Përgjigjen e duhur do e marrë më 21 qershor.

A ka ndryshuar jeta juaj tanimë, e keni lënë pas Marinën që ushqente pulat, ashtu si u shfaqët në klipin e “Big Brother”?
Po ja kaloj shumë mirë tani që kam dalë nga “Big”-u, jam gjithë kohës në lëvizje dhe kjo gjë më pëlqen shumë dhe jam mëse e përshtatur me jetën e përditshme. Pulat po më ngordhin për të ngrënë sepse këto kohë jam marrë shumë me fushatë dhe s’kam pasur kohë të merrem me to (qesh).

Si po shkon mes teje dhe Kikës, a ka shanse për diçka më shumë mes jush, apo jeni thjesht miq?
Unë dhe Kika jemi miq shumë të mirë, nuk them dot që mund të ketë ndonjë gjë më shumë se një miqësi.

I keni parë banorët e tjerë, cilin mendoni fitues?
Të them të drejtën nuk i kam parë fare banorët e tjerë sepse s’kam patur kohë, por unë do doja fitues Fabianin. Mendoj se e fiton Eleonora “Big Brotherin” dhe për këtë gjë jam shumë e lumtur.

Ka ndryshuar diçka në jetën tuaj private, tashmë që keni nisur një rrugë tjetër, një lidhje të re në horizont?
Jetën time private do ta lë jashtë mediave dhe prandaj nuk parapëlqej të flas. Megjithatë nuk jam në kundërshtim që ju ta zbuloni vetë se kush është personi në fjalë.

(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: