TIRANE- Kryeministri Rama ka paralajmëruar sot se për universitetet shqiptare nis një tjetër provë e dhimbshme, e cila do të na ballafaqojë me të tjera fakte, shifra, prova rrënqethëse: matja e cilësisë së tyre, pasi nga pikëpamja e ligjshmërisë, tashmë ato janë në rregull.

Në fjalën e mbajtur sot në Kryeministri, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes me Agjencisë Britanike të Akreditimit “Quality Assurance Agency” – anëtare e ENQAS, Kryeministri tha se “po nisim fazën e dytë të reformës në arsimin e lartë, akredimin e tyre.” Por, Rama, duke e përshkruar si të dhimbshme këtë reformë, që vetëm në fazën e parë të saj mbylli dyert e shumë universiteteve private, veçoi një fakt për të treguar domosdoshmërinë e saj:

Nga 11 mijë studentë që duhet të zhvendoseshin në institucionet e arsimit të lartë, vetëm 2800 u paraqitën me kërkesën për zhvendosje, sepse të gjithë të tjerët kishin shënuar emrin në këto institucione dhe prisnin ditën kur do të shkonin të merrnin dipomën pa shkuar asnjë ditë në universitet.”

Rama, para nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet Ministres së Arsimit Lindita Nikolla dhe Drejtorit të Agjensisë Britanike të Akreditimit, falenderoi në mënyrë të veçantë, Ambasadorin Nicholas Cannon, i cili ishte “krushku” i kësaj marrëveshjeje.

edinrama ne konferenceee

“U bë një punë mjaft e vështirë, por po aq e domosdoshme për të kthyer në kushtet e ligjshmërisë dhe nën autoritetin e ligjit, Institucionet e Arsimit të Lartë, – tha kryeministri. – Proces i dhimbshëm për shumëkënd, por jetik për të ardhmen e vendit tonë, të ekonomisë sonë, të shoqërisë sonë dhe të gjithkujt që me kursimet dhe sakrificat e prindërve ndërmerr rrugën e arsimit të lartë.

Ka shumë histori që mund të tregohen lidhur me gjendjen në të cilën ne e gjetëm arsimin e lartë, ka shumë fakte dhe shifra rrëqethëse, që janë një pasqyrë më shumë sesa bindëse për domosdoshmërinë e kësaj reforme rrënjësore, por unë do të doja të veçoja vetëm një. Faktin që nga 11 mijë emra studentësh që duhet të zhvendoseshin në institucionet e tjera të arsimit të lartë, pas mbylljes për shkak të një gjendjeje paligjshmërie të plotë të 18 institucioneve, vetëm 2800 u paraqitën me kërkesën për zhvendosje, sepse gjithë të tjerët kishin shënuar emrin në këto institucione dhe prisnin vetëm ditën kur do të merrnin diplomën, pa shkuar asnjë ditë në universitet.

Bazuar në kushtet e ligjshmërisë, sot, Institucionet e Arsimit të Lartë që funksionojnë janë në rregull, por sesa në rregull janë bazuar në kriteret e cilësisë që duhet të garantojnë, këtë do të na e tregojë ky proces. Një proces jashtëzakonisht i vështirë, që pa as më të voglin dyshim do të sjellë të tjera dhimbje në rrugën e rilindjes së Arsimit të Lartë. Një proces që do të na ballafaqojë me të tjera fakte, me të tjera shifra, me të tjera prova rrëqethëse të një degradimi konstant, për vite të tëra, që iu bë sistemit të Arsimit të lartë. Por një proces i domosdoshëm.

Më kujtohet, – vijoi kreu i Qeverisë, – që kur në rrugëtimin tonë përpara zgjedhjeve, në tryezat e diskutimeve të hapura për programin e arsimit, përsërisnim zotimin se do të thërrisnim një agjenci ndërkombëtare për të bërë akreditimin e universiteteve, një pjesë qëndronte indiferente sepse besonte se kjo ishte loja e radhës. Nuk jemi ne të parët që e kemi premtuar këtë që po vëmë në jetë sot. Ndërsa një pjesë tjetër, e mbaj mend, nuk e fshihnin frikën, madje më kujtohet fort mirë, një pedagoge që mori fjalën dhe tha “nëse vërtet ju do të bëni këtë, duhet të përgatiteni edhe për rrezikun që të mbyllim edhe Universitetin e Tiranës”. Sigurisht që ishte një frikë, besoj unë, e ekzagjeruar, por jo e pabazuar. Fakti që në skanimin që iu bë sistemit tonë të Arsimit të Lartë për kushtet e ligjshmërisë, disa dhjetëra fakultete publike u mbyllën, flet qartë, nga njëra anë, se në çfarë katandie ishte sistemi.

Agjencia Britanike e Akreditimit, e thashë, nuk ka nevojë për prezantim dhe as për diskutim. Është një nga agjencitë më prestigjioze, themeluese dhe anëtare e rrjetit të këtyre agjencive në nivel europian dhe promovuese e atyre vlerave që janë sot të mishëruara në një kuadër të përgjithshëm legjislativ brenda Bashkimit Europian.

Ne kishim arritur jo vetëm që ta transformonim dijen në mall dhe universitetin në biznes, por edhe të kishim numrin më të madh të universiteteve për frymë në Europë; 8 herë më shumë se Britania e madhe; 20 universitete për një milionë banorë; 1432 programe të ndryshme mësimore; 50 programe studimore në universitete publike, nota mesatare 5.5. Sikur të kishin rritje ekonomike 5.5, kjo do të ishte një shifër spektakolare, por që të kishim arritur në pikën ku notën mesatar të prurjeve të përgjithshme në sistem ta kemi 5.5, kjo do të thotë vërtet se kemi prekur fundin dhe më keq nuk mund të kishte.

Aristoteli ka një fjalë që na ndihmon shumë sot të kuptojmë atë që po bëjmë dhe atë që presim. Ai thotë: “Rrënjët e edukimit janë të hidhura, por frutat janë të ëmbla”.

Nuk mund të ketë edukim të ngritur mbi rrënjë që ushqehen nga mjalti i gënjeshtrave. Mund të ketë edukim vetëm nëse rrënjët janë të hidhura, çka në fjalë të tjera do të thotë nëse ushqehen nga ilaçi i të vërtetave. Kjo e ka bërë Arsimin e Lartë në Britaninë e Madhe atë që ai është sot.

Ka shumë thënie për arsimin, por unë dua ta mbyll me një thënie që thotë se “Edukimi është transmetim i civilizimit”. Por për ne është e qartë, në demokraci askush, sido që të rrotullohet, duke bërë mirë apo duke bërë keq, duke bërë shumë apo duke bërë pak, nuk mund të rrijë përgjithmonë në zyrë dhe nuk mund të mbajë përgjithmonë pushtetin. Ka dy rrugë: ose ta konsumosh pushtetin, ose të konsumohesh nga pushteti. Në të dyja rastet, një gjë është e sigurt, që do të largohesh për t’ia lënë radhën të tjerëve. Por mes të larguarit pasi të tjerëve u ka ardhur në majë të hundës nga konsumi që të ka bërë pushteti dhe të larguarit pasi e ke konsumuar pushtetin për të bërë mirë, në afat të mesëm apo të gjatë, në jetën e njerëzve dhe të vendit, zgjedhja jonë është e qartë kristal: Është kjo e dyta.

Ne nuk duam të shtyjmë asgjë që është shtyrë 20 vjet dhe na ka sjellë në këtë derexhe, sepse na duhet të fitojmë zgjedhjet e radhës. Sigurisht që ne duam t’i fitojmë zgjedhjet e radhës, por pa kompromentuar asnjë reformë dhe pa shtyrë për nesër, asnjë gjë që duhet bërë sot dhe në Shqipëri çdo gjë duhet bërë sot, sepse ka 20 e kusur vjet që dëgjojmë “nuk është akoma koha; nuk janë pjekur kushtet, ta shtyjmë pak këtë, ta shtyjmë pak atë; jo po ta lëmë një çikë këtë se do na mërziten këta, do na shqetësohen ata; do humbim votat e atyre atje, s’do na votojmë këta këtu; shiko se këta janë shumë, po shiko se ata janë tanët; po mirë është që mos ngacmojmë ata të tjerët se janë në gjumë”. Këto për ne janë dokrra hini, kur thoshte At Gjergj Fishta.

Ju falenderoj shumë. I shpreh gjithë mirënjohjen ambasadorit që ka pasur një rol kyç në këtë “krushqi”, që është një nga “krushqitë” më të sigurta që janë bërë në vite,”- përfundoi Kryeministri Rama.

DREJTORI I AGJENSISE SE AKREDITIMIT TE ARSIMIT TE LARTE: JEMI ORGANIZATE E PAVARUR

perfaqesuesi i agjencise
“Ne do të jemi në gjendje që ta sjellim këtu përvojën tonë. Organizata jonë ka një përvojë të gjatë në ofrimin e sistemeve më të mira të arsimit. Ne u krijuam në 1997, jemi të pavarur, jemi një bord që i administron veprimtaritë e veta me një kryetar që vjen nga institucionet e arsimit të lartë, por jo drejtpërdrejt. Ne kemi përfaqësues të organizatave profesionale, të bizneseve industriale etj. pra, puna jonë nuk i vlen vetëm studentëve, por edhe publikut për pritshmërinë e tij për arsimin e lartë.

Kjo agjensi punon për Anglinë, Uellsin, Irlandën e Veriut, Skocinë. Mbretëria e Bashkuar, si një e tërë, është e angazhuar për standarde të njejta, por mënyra sesi ato aplikohen kanë ndryshimet e tyre. Sidoqoftë, një nga gjerat që është në bazë, është kuptimi i vlerës së përbashkët dhe kontributi që ai jep në zhvillimin e ekonomisë. Këto do të sjellim edhe në Shqipëri.

Ministrja bëri pyetjen se çfarë mund të ofrojmë përsa i përket përvojës. Ne mund të ofrojmë përvojë të gjatë të arsimit të lartë. Jemi krijuar në 1997, por kemi pasur sigurim cilësie edhe para këtij viti…”

AMBASADORI CANNON: SHQIPTARET, TE ETUR PER DIJE, JO ME “DYQANE DIPLOMASH”

nicholas Cannon

Në konferencë iu dha fjala Ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Cannon, i cili, duke folur në gjuhën shqipe, evidentoi një fakt: Shqiptarët janë shumë të etur për dije, ndryshe nga ç’ndodh në shumë vende të Evropës e në këtë këndsvështrim, ai tha se ka universitete shumë të mira, por ka pasur edhe institucione që vepronin si “dyqane diplomash”, të cilët e bënë reformën në arsim emergjente.

Nga ana tjetër, Cannon vuri në dukje se reforma në arsim, jo vetëm është e domosdoshme, por ajo mbështetet nga këshilltarët britanikë, që ta përafrojnë atë me standardet evropiane. “Jam i mendimit se reforma në arsim ishte një nga sfidat më të rëndësishme me të cilat përballet Qeveria shqiptare. Avantazhi i këtij vendi është se populli ka etje për arsimin, gjë që nuk ndodh në vende të tjera të Evropës. Shqiptarët duan të mësojnë shumë dhe prindërit janë të gatshëm për sakrifica për t’i çuar ata në universitete. Pra, është thelbësore që ata të marrin atë që duan, por fatkeqësisht kjo nuk ka ndodhur në të shkuarën. Shqipëria ka universitete shumë të mira, por deri vonë kanë ekzistuar disa institucione arsimore, që kanë funksionuar si “dyqane diplomash”, duke mashtruar studentët, ndaj edhe qeverisja është bërë e papërshtatshme dhe reforma për ta është emergjente.

Reforma është që të sigurojë standarde ndërkombëtare në arsimin e lartë. Kjo do të siguronte përgatitje arsimore të një standardi të lartë për një vend me një ekonomi në ndryshim dhe do të bënte të mundur që studentët shqiptarë të konkurojnë në Evropë.”

NIKOLLA: JEMI TE VENDOSUR NE RRUGEN E REFORMAVE

nikolla marreveshjaaa

“Nënshkrimi i marrëveshjes së përbashkët me Agjencinë Britanike është një lajm i mirë për verifikimin e kritereve të cilësisë së Institucioneve të Arsimit të Lartë në vend”. Kështu është shprehur në një konferencë për mediat me përfaqësues të Agjencisë Britanike që kryen akreditimin e IAL-ve, si dhe me zyrtarë të lartë të Ambasadës Britanike në Tiranë, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla. “ Pas 24 viteve, një proces i tillë aplikohet për herë të parë, si dhe shënon një rezultat të punës sonë në një vit qeverisje. Ky është një moment i veçantë, për ti dhënë një përgjigje çdo kujt që ka merak për një reformë të rëndësishme në vendin tonë. Ka pasur edhe më parë punë me ekspertë të huaj, ndaj shpreh mirënjohjen e atyre që kanë qenë në vite, në procesin e reformave në arsim.  Megjithatë nuk ka pasur asnjëherë tjetër një reformë të tillë.

Nuk ka pasur më parë një vullnet dhe vendosmëri për operacione të thella dhe të plota, kjo pasi natyrshëm të vjen një pyetje ‘si u lanë në funksion 18 institucionet e Arsimit të Lartë, ndërkohë që nuk ofronin asgjë? Ne jemi të vendosur në rrugën e reformave, ndaj nuk do vijojmë rrugën e shitjes së diplomave të pavlera”-u shpreh ministrja Nikolla.

Më tej, numri një i MAS, pasi vlerësoi Agjencinë që do të kryejë akreditimin u shpreh “ Jemi të vendosur për të zbatuar çdo rekomandim tuajin për Institucionet e Arsimit të Lartë. Ne kemi vendosur të komunikojmë dhe t’iu dëgjojmë në çdo vendimmarrje, por edhe të forcojmë kontrollin me të vërteta të pastra në dobinë tonë. Më lejoni të ndaj me ju disa rezultate të fundit të institucionit që unë drejtoj. MAS ka ecur në rrugën e reformave. Institucionet tona të Arsimit të Lartë janë më të mira se një vit më parë, sepse sot i janë kthyer rrugës së ligjit. Kemi pasur një miradministrim të procesit të maturës shtetërore. Kemi një Këshill Ekspertësh që do të kryejë akreditimin, si një mbështetje për çdo detyre që do të vijë falë punës suaj profesionale.  

Agjencia jonë akreditimit tashmë ka një detyrë të rëndësishme, të përmirësohet sipas propozimeve tuaja. Tashmë jemi në rrugën e duhur me argumente të forta dhe me rezultatet të matshme në institucionet tona”-u shpreh Nikolla.

(os.de/ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: