NGA: KLODIANA HAXHIAJ* KRUJE- Katër ditë pas masakrës në Thumanë ku mbetën të vrarë tre pjesëtarë të familjes Çeku, kanë përfunduar në pranga dy prej të dyshuarve si autorë të krimit. Bëhet fjalë për vëllezërit Daniel dhe Besnik Kora, përkatësisht 28 dhe 40 vjeç. Burime zyrtare nga policia e Krujës bënë me dije se pasditen e djeshme është arrestuar në Rrëshen Daniel Kora, ndërsa vëllai i tij, Besniku është vetëdorëzuar në policinë e Lezhës. Ndërkohë, blutë po punojnë intensivisht për vënien në pranga të Pëllumb Korës, i cili akuzohet për vrasjen e trefishtë të ndodhur mesnatën e së premtes në Thumanë.

Vetëm dy ditë më parë u arrestua në qytetin e Laçit edhe babai i tre vëllezërve Kora, Gurali Kora, i cili më në fund ka treguar me detaje ekzekutimin e tre pjesëtarëve të familjes Çeku si dhe plagosjen e 66-vjeçares Luçie Çeku. Po dje, policia ka arrestuar dhe katër persona të tjerë, të cilët dyshohen për përkrahje të autorëve të krimit. Sipas policisë, 22- vjeçari Paris Gjeta, 54-vjeçari Prengë Gjeta, 36-vjeçari Ardian Gjonaj dhe 44-vjeçari Shpëtim Nikolla u prangosën, pasi dyshohet se kanë strehuar e ushqyer vëllezërit Kora dhe babain e këtyre të fundit. Madje pohohet se i kanë ndihmuar për t’u larguar nga Thumana.

PROKURORIA
Sipas burimeve nga prokuroria e Krujës, Pëllumb Kora, të premten që shkoi ka qenë duke peshkuar në Adriatik me dy miq të tij. Kur është kthyer në Thumanë, ai ka shkuar në lokalin e shtetasit Sh.Gj., ku ka konsumuar alkool deri në orët e vona të mbrëmjes. Në lokal ka shkuar dhe 44-vjeçari Arben Çeku, i cili ka kërkuar të bisedojë me Pëllumbin. Mësohet se biseda ka agravuar në debate të ashpra e më pas në fyerje dhe sharje. Çeku dhe Kora kanë tentuar të goditen me grushta, por kanë ndërhyrë persona të tjerë që i kanë ndarë. Më pas Pëllumb Kora ka shkuar në banesën e tij.

Mësohet se në lokal kanë shkuar Fran Çeku, nipi dhe bashkëshortja e tij, për të shmangur përplasjen me Korën. Por, pak minuta më pas kanë mbërritur aty Gurali Kora me tre djemtë e tij, të cilët vranë tre pjesëtarët e familjes Çeku. 56- vjeçari fillimisht mori përsipër autorësinë e vrasjes, ndërsa më pas deklaroi se autorët ishin dy djemtë e tij, Pëllumbi dhe Danieli.

RREFIMI
Një nga personat e prangosur për përkrahje të autorëve të vrasjes së trefishtë është Shpëtim Nikolla. 44-vjeçari ka deklaruar gjatë marrjes në pyetje, se mesnatën e 5 qershorit ka dëgjuar të trokitura në derë. “Ata erdhën të katërt te shtëpia ime. I ranë derës e më thanë ‘jemi në besën tënde’. Me Pëllumbin kisha miqësi. Ata ishin bërë me gjak e më thanë se punët u kishin shkuar keq, pasi kishin vrarë familjen e Franit. Më kërkuan ndihmë. Për momentin u tremba. Më pas u lanë dhe u ndërruan dhe i kam dërguar me makinën time deri te shinat e trenit në Laç”, – ka thënë Nikolla.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: