Për drejtësinë italiane emri i Salvatore Letizias është mjaft i njohur. “Panorama” shkruan se përveç dy rasteve ku ai ka pasur përballje direkte me Policinë napolitane, një herë si i arrestuar për armëmbajtje pa leje dhe herën tjetër si i plagosur, ndaj tij ende nuk janë mbyllur hetimet për pjesëmarrje në organizata mafioze. Letizia konsiderohet si kapoja i një prej klaneve mafioze të Kamorras, që njihet me emrin Piccolo-Letizia.
Gjithashtu ai është nipi i Armando Letizia, aktualisht 61 vjeç, i arrestuar me bujë në Napoli në vitin 2009, si një prej urdhëruesve kryesorë të vrasjeve për llogari të Kamorras dhe pjesë e një prej familjeve më të mëdha mafioze. Në vitin 2001, ditën e Shën Valentinit, ai është plagosur në këmbë, gjatë një shkëmbimi zjarri me automatik, ku mbeti i vrarë në derën e shtëpisë shoku i tij, Ferdinando Latino.
Kjo ngjarje ndodhi gjatë një përleshjeje të armatosur mes dy klaneve të Kamorras, klanit Piccolo Letizia dhe atij Belfore. Policia italiane arrestoi për këtë ngjarje 10 persona, ndërsa Salvatore Letizia arriti t’u shpëtonte prangave. Por 6 vjet më vonë, nuk e pati këtë fat. Më 21 janar të vitit 2007, ai u arrestua në një zonë industriale të Napolit, bashkë me mikun e tij Giovanni Timbone, pasi u kapën me pistoleta që ua kishin fshirë numrat serialë.
Ata u ndaluan nga grupi i Antimafies dhe në momentin e arrestimit Letizia mbante veshur një jelek antiplumb. Mediat italiane kanë shkruar disa herë rreth bëmave të tij, duke e konsideruar si një person mjaft të rrezikshëm, vrasës gjakftohtë dhe shumë të fuqishëm, i mbështetur nga klani kamorrist që ai drejtonte. Megjithatë, atë që nuk arriti ta bënte drejtësia italiane, duket se do e bëjë Prokuroria shqiptare, pasi tashmë ka prova të mjaftueshme që Letizia të akuzohet për vrasje.
(m.k/BalkanWeb)