VLORË- Policia e Vlorës në bashkëpunim me Forcat Speciale Renea Tiranë në një superoperacion, kanë kapur një shtetas të dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e trefishtë, të ndodhur më datë 28 korrik të vitit 2013.

Sipas të dhënave zyrtare është arrestuar shtetasi:
–  Delin Hajdaraj, 26 vjeç, banues në Vlorë.
delin Hajdaraj

Operacioni për kapjen e tij u bë gjithashtu në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ku në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative për lokalizimin e vendndodhjes së Hajdaraj, rreth orës 20:30 të mbrëmjes, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i tij në katin e katërt (me qira) të një pallati në lagjen “Ujë i Ftohtë” Vlorë.

Delin Hajdaraj, ka qenë shpallur në kërkim për ngjarjen e ndodhur në 28 Korrik të vitit 2013, ku në bashkëpunim me shtetasin Leo Osmeni, 23 vjeç (i arrestuar në flagrancë dhe i dënuar me 35 vite burg), në lagjen “Ujë i Ftohtë” në Plazhin e Kalasë, kanë qëlluar me armë zjarri automatike model 56, në prezencë të pushuesve të tjerë, ku mbetën të vrarë 3 shtetas, me gjeneralitetet përkatëse:

1-  Diana Ademi, 53 vjeçe,
2-  Serdi Bajlozi, 18 vjeç,
3-  Sokol Isufaj, 35 vjeç.

Policia e Vlorës, duke patur parasysh rrezikshmërinë shoqërore të tij, ka kërkuar ndihmë nga Forcat Speciale Renea Tiranë, të cilët në bashkëpunim kanë realizuar kapjen e këtij shtetasi të dënuar me burgim të përjetshëm, i cili kishte rreth 4 vite në arrati.

Policia dispononte informacion se ky shtetas strehohej edhe në 2 banesa të tjera me qira brenda në qytet.

Të tre banesat, i mbante me qira që prej muajit Gusht të vitit 2016 dhe i përdorte për ti shpëtuar ndjekjes së Policisë së Vlorës.

Pas ndërhyrjes dhe neutralizimit të personit nga Forcat Speciale Renea, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij në zonën e “Plazhit të Vjetër” Vlorë, Policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale:

– një armë zjarri të llojit Pistoletë TT,

–  një silenciator,

– një krëhër të mbushur me fishekë,

– 37 copë fishekë në total, të kalibrit 7.62 mm,

– 2 aparatë celularë.

U bë ekzekutimi i Vendimit Nr.376, datë 02.07.2015, për dënimin e tij me burgim të përjetshëm, për veprën penale “Vrasje në rrethana cilësuese, e kryer në bashkëpunim” (Neni 79/dh, 25, i K.Penal).

Materialet u referuan në Prokurori për veprën penale “Armëmbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.

NGJARJA
Sipas dëshmisë së Leo Osmënit, ai që ka hapur zjarr në drejtim të pushuesve ishte shoku i tij Delin Hajdaraj 22 vjeç. Osmëni ka dëshmuar në polici se sherri me pesë djemtë nga Fieri ka nisur pasi këta të fundit i kanë ngacmuar motrën, teksa ajo pushonte në plazhin privat “Kalaja”, në Vlorë. Ai është telefonuar nga e motra, e cila i ka kërkuar ndihmë se disa djem e kishin bezdisur duke i kërkuar emrin për ta kontaktuar në rrjetin social “Facebook”.

18-vjeçari ka dëshmuar se është nisur menjëherë drejt plazhit, bashkë me mikun e tij, 22-vjeçarin Delin Hajdaraj. Sapo ka mbërritur, Osmëni është konfrontuar fizikisht me të rinjtë fierak dhe në një moment i ka kërkuar mikut të tij të nxirrte armën që mbanin në bagazhin e makinës. Ekzekutori Delin Hajdaraj ka shtënë tri herë me breshëri, por ai ka humbur kontrollin e armës, duke vrarë tre plazhistët, që nuk ishin të përfshirë në konflikt.

Në këtë ngjarje të rëndë mbetën të vrarë 17-vjeçari Serdi Bajlozi, 34-vjeçari Sokol Isufaj dhe 53-vjeçarja Diana Ademi, të cilët nuk kishin lidhje me ngjarjen, por humbën jetën pas plumbave rikoshet.

(m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb