Në Shqipëri autoritetet shëndetësore deklaruan sot se situata e pandemisë COVID 19 është e qëndrueshme, duke i bërë megjithatë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar duke qenë se “transmetueshmëria e virusit mbetet e lartë”.

Sipas të dhënave, në dy javët e fundit, incidenca për 100 mijë banorë ka rënë nga 330 në 227 raste, ndërsa mesatarja e pozitivitetit ka qenë afërsisht 22 përqind.

Grupmosha më e prekur ka qenë ajo mes 55 dhe 64 vjeç, e pasuar nga grupmosha 25-34 vjeç, e cila ka patur një rritje të infektimeve. “Për këtë arsye, bëjmë thirrje që të rinjtë të zbatojnë masat, të mos grumbullohen, sepse në fund të ditës, ato përkthehen në infektime”, deklaroi Albana Fico, drejtoreshë e Institutit të Shëndetit Publik. Sa i përket qyteteve, Gjirokastra është ajo me incidencën më të lartë e ndjekur nga Tirana dhe Lezha.

Komiteti Teknik i Ekspertëve, bëri të ditur se pavarësisht tendencës së lehtë në rënie, të vërejtur gjatë dy javëve të fundit, masat kufizuese që po zbatohen prej disa javësh do të mbeten në fuqi, përfshirë ndalimin e qarkullimit nga ora 22.00 e mbrëmjes deri në orën 06.00 të mëngjesit. Po ashtu u njoftua se ndalimi i fluturimeve me Britaninë e Madhe do të shtyhet edhe për 12 ditë të tjera deri më datë 18 Janar.

Situata në 24 orët e fundit

Të dhënat ditore të publikuara të mërkurën dëshmuan një rritje të numrit të rasteve të reja, e cila duket se është rrjedhojë e shifrave ndjeshëm më të larta të testimeve. Autoritetet deklaruan se janë realizuar 3906 tamponë, nga të cilët 725 persona kanë rezultuar të prekur. Në fakt pozitiviteti ka qenë poshtë mesatares së javës së shkuar, duke zbritur në 18.5 përqind.

Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 252 raste në Tiranë, 43 raste në Durrës, 38 raste në Mat, 36 raste në Lezhë, 34 raste në Vlorë, 30 raste në Shkodër, 27 raste në Fier, 23 raste në Sarandë, 18 raste në Lushnje, 17 raste në Pogradec dhe Berat, 16 raste në Skrapar, 15 raste në Kavajë dhe Elbasan, 14 raste në Dibër, 12 raste në Kurbin dhe Bulqizë, 11 raste në Krujë, 8 raste në Tropojë, 7 raste në Korçë dhe Patos, 6 raste në Kukës dhe Cërrik, 5 raste në Mallakastër, 4 raste në Rrogozhinë, Gjirokastër, Klos, Gramsh, 3 raste në Mirditë, Kamëz, Delvinë, Vau i Dejës, Shijak, Kuçovë, 2 raste në Peqin, Përmet, Devoll, Has, Pukë, Librazhd, Tepelenë, Malësi e Madhe, Kolonjë, Vorë, 1 rast në Divjakë dhe Libohovë.

Sipas të dhënave ditore, 7 qytetarë kanë humbur jetën: 3 qytetarë nga Tirana, 2 qytetarë nga Shkodra, 1 qytetar nga Elbasani dhe 1 qytetar nga Lezha, të moshave 52-76 vjeç.

Në spitale, situata vijon të shënojë ulje të pacientëve. “Aktualisht në 4 spitalet COVID, po trajtohen 273 pacientë, 18 në terapi intensive nga të cilët 3 pacientë janë të intubuar”, bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb