Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, nëpërmjet një reagimi në facebook, bëri me dije se nga sot, datë 11 maj 2020, në përputhje me planin e masave lehtësuese, do të rifillojë puna e legalizimeve pranë shërbimeve konsullore në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Gjithashtu, Kryediplomati Cakaj informoi se sot kanë rinisur edhe shërbimet konsullore në Përfaqësitë e Republikës së Shqipërisë në Bruksel, Mynih dhe Selanik. Kjo pasi lehtësimi i masave në vendet përkatëse ka mundësuar dhënien e shërbimeve.

“E gjithë puna, natyrisht, do të zhvillohet në përputhje me masat e nevojshme që kërkon lufta kundër pandemisë COVID-19
në këtë fazë!”- siguroi Cakaj.

Për më tepër, Cakaj shpjegoi se puna në përfaqësitë e tjera do të fillojë në varësi të masave të hapjes graduale të vendeve përkatëse.
“Përkushtimi ynë mbetet i palëkundur për të ndërlidhur objektivat madhore të politikës së jashtme me nevojat ditore të qytetarëve të Shqipërisë!” – përfundoi Cakaj reagimin e tij.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb