Nga: ARMIR MEHAJ*

PUKE – Masivi pyjor i Munellës, dikur i konsideruar si pasuri kombëtare dhe i vënë nën mbrojtje, sot lëngon në fatin e vet të hidhur. Shkatërrimi prej 25 viteve duket se tashmë është i pandalshëm, ndërsa ditët e fundit përpara shpalljes së Moratoriumit, të njoftuar nga Qeveria shqiptare duket se po i nxjerrin fundin Munellës, kësaj pasurie të madhe kombëtare e cila sa vjen e shkatërrohet, duke lënë pas kujtimet e bukura të së shkuarës.

Munella e njohur jo vetëm për pasurit e nëntokës së pasur me polimetale, në inventarët e Shtetit njihej dhe për pasuritë pyjore, strehë e shumë kafshëve të egra si asnjë masiv tjetër i Shqipërisë.
Ndryshe nga krenaria e dikurshme, vendin e pyjeve të lartë dhe të shumëllojshme sot e zënë cungjet e mbetura si dëshmi e masakrës, që ka ndodhur në masivin pyjore që arrin në mbi 2000 metër lartësi.

Popullatat e kafshëve të egra thuajse ka marrë arratinë, pyjet tashmë kanë mbetur veç në kujtimet e të shkuarës, ndërsa rrënimi ka prekur çdo gjë në shkrepat e Munellës dikur të padukshëm nga pyjet e sot të mbetur preh e erozionit.

Në çdo cep të mrekullisë së dikurshme, sot ka shtigje rrugësh të përdorura nga shkatërruesit e pyjeve, të cilët pamëshirshëm kanë shkatërruar çdo gjë të pafrikësuar nga askush. Teksa ngjitesh në Munellë e ke të pamundur të pyes dikend se çfarë ka ndodhur, banorët e zonave të afërta rrudhin krahët duke lënë të kuptohet se pjesë e shkatërrimit janë edhe vetë ata, ndërkohë që nxitojnë të largohen për t’ju shmangur përgjegjësisë.

Labirintheve të pafund të Munellës, një automjet Policie shikohet që lëviz në zonë, teksa me vonë mësojmë se zhurma e ndodhur mbi shkatërrimet ka bërë që Policia të marr nën mbrojtje atë pak çfarë ka mbetur. Shkatërruesit e Pyjeve duket se kanë lëshuar zonën në këto ditë fundviti, teksa jetojnë me shpresë së mbrojtja e pyjeve nga Policia nuk do të zgjasë shumë, për të rrafshuar dhe atë çfarë ka mbetur në Munellen e hireve të dikurshme që sot lëngon e tradhëtuar prej vetë Shtetit.

(er.nu/BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb