KAVAJE- Një grabitje me dhunë ka ndodhur pasditen e djeshme në një pikë të këmbimit valutor në qytetin e Kavajës. Ka qenë ish-kryeministri Sali Berisha, ai i cili ka denoncuar fillimisht ngjarjes, disa orë pasi ajo ka ndodhur.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, berisha shkroi se denoncimi për ngjarjen ka ardhur nga “qytetari dixhital”. Por për këtë rast, ditën e djeshme nuk ka patur një reagim nga policia.

“Maskat grabisin dyqanin e këmbimit valutor ne qendër te Kavajës! Çunat e krimit me uniforme fshehin grabitjen. Me poshtë keni mesazhin e qytetarit dixhital! sb

“Doktor mirëmbrëma, sonte ne darke ne qytetin e Kavajës ndodhi një grabitje me arme nga maskat ne një dyqan te këmbimit valutor. Grabitësit ishin te armatosur dhe gjate orës 19:00 u futen brenda duke kërcënuar arkëtarët qe tu jepnin paratë. Po jua shkruaj qe te nxirrni ju, sepse policia e mban te fshehte”, shkruhej në faqen e ish-kryeministrit Berisha në Fb.

Vetëm paraditen e sotme, policia e Kavajës ka reaguar duke bërë publike ngjarjen.

“Më datë 10.03.2017, rreth orës 18:55, në lagjen Nr 2, Kavajë, në një këmbim valutor kanë hyrë dy shtetas ende të pa identifikuar, të cilët kanë tentuar të vjedhin me dhunë xhiron ditore të këtij këmbimi valutor, por pa arritur të realizojnë atë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Grupi hetimor po vazhdon punën me intensitet të lartë për identifikimin edhe kapjen e autorëve të kësaj vepre penale.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb