TIRANE- Vetëm tri ditë i ndajnë 41 mijë maturantë të cilët të shtunën e kësaj jave do japin provimin e parë të Maturës Shtetërore. Shkalla e vështirësisë për këtë provim do të ketë një farë rritjeje në krahasim me vitin e shkuar, pasi, nga niveli A2 që kishin testet, këtë vit ato do të kenë një shkallë më të lartë vështirësie, atë B1. Ndërsa, për sa u përket rezultateve, edhe këtë vit nota që do të marrin nuk do të ketë peshë në formulën e llogaritjes së pikëve që grumbullojnë maturantët për garën në universitetet publike.

STRUKTURA E TESTIT
Një prej tri provimeve me detyrim që do japin maturantët është dhe gjuha e huaj me detyrim, ku përfshihen katër gjuhë: anglisht, italisht, frëngjisht apo gjermanisht. Bashkëngjitur gjeni programet orientuese të dy gjuhëve të fundit. Testi i gjuhës së huaj me detyrim për Maturën 2015 është i nivelit B1, përbëhet nga 25 pyetje dhe ndahet në tri pjesë: lexim (të kuptuarit e një teksti), përdorim i gramatikës dhe pjesa e tretë shkrim.

Dy pjesët e para kanë nga 12 pyetje dhe vlerësohet me 20 pikë secila prej këtyre dy pjesëve. Në 24 pyetjet e para, maturantët do lexojnë një tekst dhe pyetjet do jenë mbi tekstin. Po ashtu do kenë pyetje të cilat do t’i plotësojnë me fjalën ose fjalinë e duhur. Ndërkohë që, pyetja e 25-të përbën pjesën e tretë të testit, shkrimin, ku maturantëve u kërkohet të shkruajnë një ese, një krijim ose një e-mail me 100-125 fjalë, ku totali i pikëve që fitohen është 10. Kjo strukturë testi është e njëjtë për të gjithë ata maturantë që do t’i nënshtrohen provimit të detyruar të gjuhës së huaj, qoftë kjo anglisht, italisht, frëngjisht apo gjermanisht.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb