TIRANË

Për të shmangur disi ankthin dhe panikun e përvitshëm që kaplon maturantët dhe prindërit në prag të raundit të parë të regjistrimeve, dekani i fakultetit Ekonomik profesor Dhori Kule bën thirrje të tregojnë durim dhe mos të stresohen në fazat 48 orëshe të regjistrimeve.

Madje u sugjeron mos të nxitojnë të regjistrohen nëse nuk u del që në fillim dega e tyre e preferuar

“Të kenë kujdes, ditën e enjte nis procedura 48 orëshe e fazës së parë, janë shtatë faza. Maturantëve që janë poshtë vizës së kuqe u them mos të shqetësohen, mos të regjistrohen para kohë në profilin që ata nuk e duan, të presin procedurat përkatëse të zbritjes. Është e natyrshme që maturantët dhe familjet e tyre të kenë ankthin dhe merakun se mos mbeten pa shkollë dhe të regjistrohen jashtë dëshirës në degë të tjera. Mos u shqetësoni prisni se do u vijë radha”,-u shpreh gjatë konferencës për gazetarët prof. Dhori Kule, dekan i fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës.

Fakulteti ekonomik ka tërhequr 20.000 aplikantë për vetëm 1200 kuota, duke shënuar kështu një rekord të ri në krahasim me çdo fakultet tjetër publik.

Fakulteti ekonomik është rikonstruktuar dhe pret studentët e rinj në ambiente komode me kushte shumë më të mira se më parë. Por që fakulteti të gjallojë sërish nga studentët duhet që të gjithë të vaksinohen.

Stafi akademik është vaksinuar në masën 75% deri më sot, deri ne fund të shtatorit synohet që të gjithë të marrin vaksinën. Thirrja për vaksinim bëhet edhe në emër të dy profesorëve dhe një studenteje të ekonomikut të cilat humbën jetën nga Covid-19

“Që të fillojmë mësimin fizikisht, duhet të vaksinohemi. Fakultetit ekonomik Covidi i rrëmbeu dy profesorë dhe një studente. Ne e dimë që studentët dhe maturantët na mirëkuptojnë. E dimë që mësimi online është mësim në ajër…” ,-tha në fjalën e tij prof. Dhori Kule, dekan i fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës.

Sipas dekanit Kule një pjesë e studentëve janë vaksinuar, por ende nuk ka një statistikë të përmbledhur për shifrën reale.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb