Një numër i madh i dijetarëve dhe imamëve në Mauritani lëshuan një fetva që ndalon normalizimin e marrëdhënieve të vendit me Izraelin.

“Marrëdhëniet me entitetin uzurpues të territorit të okupuar palestinez dhe Kudsit janë të ndaluara”, thuhet në fetvanë e nënshkruar nga 200 dijetarë dhe imamë.

“Normalizimi është një mbështetje e plotë për cionistët uzurpues (Izraelin) dhe (politikën) e tyre të vrasjes dhe shkatërrimit”, theksuan dijetarët.

Al-Mukhtar bin Amin, zëdhënësi i dijetarëve, e quajti normalizimin me Izraelin si “tradhti”.

“Normalizimi me Izraelin konsiderohet si një mbështetje për Izraelin për të vazhduar agresionin e tij”, tha ai, duke e përshkruar shtetin Izraelit si “kancer”.

Muajin e kaluar, një sërë ligjvënësish mauritanezë bënë thirrje për kriminalizimin e normalizimit me Izraelin.

Mauritania në vitin 2009 ngriu marrëdhëniet e saj me Izraelin dhe ndërpreu lidhjet dhe dëboi ambasadorin izraelit një vit më vonë.

Vitin e kaluar, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini, Sudani dhe Maroku nënshkruan marrëveshje me Izraelin për të vendosur marrëdhënie diplomatike.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb