Një nga gjërat më të rëndësishme në kryerjen e ekstradimit është dokumentimi i procedurës dhe ruajtja e dokumenteve, ku evidentohet njohja e zbritjes së dënimit nga autoritetet e huaja për shtetasin Armando Uka, në këtë rast nga shteti italian. Kjo ka qenë edhe pika e cila ka mbajtur peng të gjithë procesin sipas Prokurorisë së Lezhës pasi Prokurori Erjon Shehaj pretendon se nuk i ka patur certifikatat. Por ndryshe është qendrimi i avokatit Gjergj Neli, i cili tregon se kanë bërë ankesë të Prokuroria e Përgjithshme për prokurorin e Lezhës.

“E vetmja përgjigje nga Prokuroria ishte nga zyra e marrëdhënieve me jashtë, ka qenë kjo:

I nderuar zoti avokat, pasi kemi kontaktuar me prokurorin e rrethit Erjon Shehaj, na ka thënë që mungojnë dokumentet e zbritjes së dënimit nga Autoritetet Italiane, ne i jemi drejtuar autoriteteve italiane gjoja sipas tij që të na i sjellin certifikatat për uljen e dënimit që ky i dënuar ka kryer në burgjet e italisë”, u shpreh avokati Gjergj Neli.

Sipas avokatit Neli duhej që Prokuroria e Përgjithshme të dërgonte një përfaqësues te zyra e avokatisë të personit të dëmtuar, që çfarë problemi kishte ose t’i kishin thirrur te zyra e Prokurorisë për të marrë provat për t’i treguar ekzistencën e këtyre dokumenteve dhe faktit që Prokurori Shehaj i zotëronte certifikatat.

Avokati Gjergj Neli shtoi më tej: “Më vonë ne kena shkuar për të takuar në Prokurori edhe oficerin e policisë gjyqësore, i cili ishte i deleguar nga prokurori Erjon Shehaj, oficeri i policisë gjyqësore Artan Uka. Dhe u bind Artan Uka që kur ne ia pamë dosjen e të dënuarit, ne i pamë të gjitha certifikatat që ishin aty, që kishin ardhur me të gjitha aktet shkresore nga Italia. Nuk e di si e ka prokurori, nuk e di pse nuk e zbaton prokurori, do ta bisedoj me prokurorin”.

Pra, sipas dëshmisë nga avokati Prokuroria e Lezhës i zotëronte dokumentet, por ka qenë gjëra të tjera që mund të kenë ndikuar te kjo vendimmarrje e munguar.

“Unë kërkoj vetëm të vërtetën, pse jam mbajtur unë 11 muaj më shumë në burg nga kryeprokurori i Lezhës. Ai i ka pasur të gjithë letrat e mia. Unë kur kam ardhur nga shteti italian, unë i kam pasur të gjitha letrat me vete. Kam patur bërë dy njohje dënimi këtu në 2020, në 2021 më fal, e në 2022. E ky më thotë s’ke dinamika. Dinamika janë ditët e lirimit të parakohshëm. Si mo s’kam unë, unë i kam me vendim gjyqtari në Itali e t’i kam prurë këtu. T’i ka prurë shteti, t’i kam prurë edhe unë?”- ngriti pyetjen Armando Uka.

Nga shkresat e vendosura në dispozicion për “Vetting” rezulton se certifikatat janë marrë nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimit Penal Rec në Malësinë e Madhe sipas avokatëve të Armando Ukas.

Konkretisht në 7 gusht 2024, njëri nga avokatët Shaqe Marinaj ka përcjellë shkresën me të gjitha dokumentet, ku janë të përfshira edhe certifikatat e njohjes së përfitimit të zbritjes së dënimit nga Autoritetet Italiane pasi edhe juristi i IEVP-së Recit pretendonte se mungonte dokumentacioni.

Por sipas avokatit Arben Llangozi, në rastin në fjalë ka përgjegjësi edhe Institucioni i Ekzekutimit të Vendimit Penal.

Sipas avokatit Arben Llangozi “edhe IEVP e ka detyrimin ligjor që një përsoni t’i llogarisin vuajtjen e dënimit”. “Sepse ligji e ka ngarkuar me zbatimin e vendimit. Me zbatimin e ligjit e ka ngarkuar edhe prokurorin. Ashtu sikurese është garanci. Edhe gjykata në menagjimin e këtij procesinë ekzekutimin e këtij vendimi”.

Gjykatat palë me Prokurorin, Llangozi: Është shkelur ligji
Duke parë situatën me vonesat nga Prokuroria e Lezhës, konkretisht nga kryeprokurori Erjon Shehaj avokatët e Armando Ukës i janë drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë për njohjen e zbritjes së dënimit sipas Amnistisë Penale. Por Gjyqtarja Eglantina Biba në 16 tetor 2024 vendosi të shpall mungesën e juridiksionit për aplikimin e ligjit për amnistinë penale, si dhe ia kaloi aktet për këtë rast Prokurorisë së Lezhës, si organ kompetent. Pra, nuk ishte në autoritetin e Gjykatës të merrej me këtë çështje, por e Prokurorisë së Lezhës.

“Gjatë seancës gjyqësore, Prokurori ngrihet dhe thotë se kjo nuk është kompetencë e gjykatës por e prokurorisë dhe në lidhje me këtë jemi ne ata që duhet të bëjnë justifikimin e ligjit të amnistisë. Atëhere gjyqtari i seancës shpall moskompetencën, duke ia kaluar Prokurorisë kompentencën. Nuk kisha parë e dëgjuar asnjëherë, kjo është antiligjore.”- u shpreh avokati Neli.

Por avokatët do i drejtonin kërkesa të tjera Gjykata së Lezhës për njohjen e përfitimeve të periudhës së paraburgimit, si dhe uljet e përfituara në Itali, ku në 18 nëntor 2024, Gjyqtari Ilir Përdeda do të dilte me një vendim, që do të ngarkonte me përgjegjësi Prokurorinë e Lezhës.

Whatsapp Image 2025 03 13 At 13.47.59
Whatsapp Image 2025 03 13 At 13.47.59

Avokati Gjergj Neli u shpreh: “Në lidhje me shtetasin Armando Uka, rezulton se Autoritetet Italiane ia kanë dërguar edhe njëherë certifikatat e uljeve të dënimit dhe rezulton ashtu siç ne kemi pretenduar që ka pëfituar 855 ditë ulje dënimi që prokurori i çështjes Erjon Shehaj kundërshtonte duke i privuar lirinë në kundërshtim me të gjitha ligjet, në mënyrë anti-njerëzore.”

Në parashtrimin e vendimit të Gjykatës, shkruhet se Armando Uka pretendon që Prokuroria Lezhë me rastin e lëshimit të urdhërit të ekzekutimit nuk ka përllogaritur masën e dënimit të vuajtur prej tij në Itali për llogari të dy vendimeve të mësipërme të njohura prej kësaj Gjykate dhe nëpëmjet kërkesës kërkon të detyrohet prokuroria të kryejë një përllogaritje të tillë.

Në vendimin e saj përfundimtar, më 18 nëntor 2024 Gjykata e Lezhës vendosi:

“Gjykata vlerëson se sipas dinamikës së vuajtjes së dënimit të administruar si provë në gjykim, kërkuesit nuk i është përllogaritur dënimi i vuajtur prej tij në Itali dhe në pjesën e dënimit të vuajtur data e fillimit të ekzekutimit nuk është marrë ajo e përcaktuar nga Prokuroria në urdhërin e ekzekutimit. Po ashtu, Prokuroria në urdhrin e ekzekutimit nuk ka përcaktuar periudhën e dënimit të vuajtur prej kërkuesit deri më datën e lëshimit të urdhrit të ekzekutimit dhe atë të mbetur pa vuajtur, duke mos u përllogaritur dënimi i vuajtur prej kërkuesit në Itali.

Në rastin konkret, gjykatësi Përdeda vlerëson se Prokuroria në rastin e lëshimit të urdhrit të ekzekutimit të vendimit penal nr.51/2024 nuk ka vepruar në përputhje me ligjin, sepse nuk ka përcaktuar dhe përllogaritur periudhën e paraburgimit apo të dënimit me burgim të vuajtur nga kërkuesi në Itali dhe pjesën e mbetur pa vuajtur. Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson se kjo e metë e ekzekutimit duhet rregulluar duke e urdhëruar Prokuroria të përllogarisë dhe dënimin e vuajtur nga kërkuesi në Itali.

Pra, sipas këtij vendimi prokurori Erjon Shehaj nuk ka kryer llogaritë e nevojshme dhe në mbyllje Gjykata ka urdhëruar Prokurorinë e Lezhës të kryeje llogaritë për të ekzekutuar vendimin nr.51 datë 29.05.2024 duke përllogaritur dhe kohën e dënimit në Itali ku përfshihen edhe zbritjet e dënimit.

“Imagjinoje se çfarë pasojash i ka sjellë ky prokuror me veprimet dhe mosveprimet e tij”, tha avokati Neli.

Por avokatët do të bënin një tjetër kërkesë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, ku i kërkonin ekzekutimin e menjëhershëm të vendimit nr.51 datë 29.05.2024, lirimin e menjëhershëm të Armando Ukës, ekzekutimin e menjëhershëm të vendimit të datës 18 nëntor 2024 të Gjykatës Lezhë dhe ekzekutimin e vendimit për përfitim nga Amnistia Penale sipas ligjit 33/2024.

Edhe në këtë rast, në 27 dhjetor 2024 Gjykata e Lezhës do të rrëzonte kërkesën e Armando Ukës, duke e shpallur të papranueshme duke marrë parasysh edhe qendrimin e Prokurorit Erjon Shehaj.

Avokat Arben Llangozi për “ Vetting” shpehet se “Flet për vendimin e gjykatave” Këto zvarritje të pjeshme duke urdhëruar që është kopetencë prokuroria apo duhet ta gjykoj gjykata etj, etj, kjo është zvarritje sepse në lidhje me masat e dënimit për të konstatuar apo përllogaritur vuajtjet e dënimit janë kompetencë e tyre gjithë inistucioneve qoftë edhe IEVP”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb