NGA ARJAN KORPA

Aktivitetet njerëzore gjenerojnë mbetje. Rreth 10% e mbetjeve totale në vendet e BE-së konsiston në “mbetje urbane”, mbetje që gjenerohet kryesisht nga aktiviteti shtëpiak, ndërtesat publike dhe në një masë më të ulët nga bizneset e vogla etj. Statistikat tregojnë se në këto vende çdo individ përdor rreth 16 ton produkte në bazë vjetore, prej të cilave mesatarisht 6 ton shndërrohen në mbetje. Çdo individ në BE gjeneron mesatarisht 0,5 ton mbetje shtëpiake në vit. Ndërsa popullsia botërore vazhdon të urbanizohet dhe të zhvillohet ekonomikisht, prodhimi i mbetjeve vazhdon të rritet me ritme më të mëdha në vendet në zhvillim. Kështu pritet që bota të përjetojë një pesëfishim të volumit të mbetjeve të gjeneruara deri në 2025.

Mbetjet janë një barrë për planetin, mjedisin, ekosistemet dhe njeriun. Autoritetet publike lokale kanë përgjegjësinë për grumbullimin dhe mënjanimin e mbetjeve urbane. Autoritetet lokale rrallëherë ofrojnë shërbim mbulimi universal, zakonisht prioritet i jepet më tepër grumbullimit sesa trajtimit të mëtejshëm të mbetjeve. Përmirësimi i menaxhimit të problemit të mbetjeve kërkon investime dhe kompetenca që sektori publik nuk është gjithmonë në gjendje t’i sigurojë. Autoritetet lokale për këtë zakonisht i drejtohen sektorit privat për të përfituar prej ekspertizës së tij dhe çmimeve konkurruese. Tregu i mbetjeve nuk është thjesht një shërbim publik, por, gjithashtu, edhe një sektor i rëndësishëm ekonomik dhe një buxhet i rëndësishëm për pushtetin vendor.

Në vendet e OECD ky treg ka një vlerë prej rreth 390 miliard USD dhe kontribuon në rreth 5% të vendeve të punës në zonat urbane. Pjesëmarrja e sektorit privat mund të shërbejë si një mënyrë për të asistuar sektorin publik për të adresuar deficitet e mëdha financiare. Megjithatë, perspektivat e sektorit privat varen gjerësisht prej implementimit të një kornize strikte dhe të sigurt rregullatore dhe monitoruese, qeverisjeje të mirë vendore dhe akses më të mirë financiar.

PËRKUFIZIMI I “MBETJEVE”
Në natyrë nuk ka mbetje. Nënproduktet “mbetje” të krijuara prej një procesi ose organizmi natyror shërbejnë si lëndë të para për procese dhe organizma të tjerë. Në shkencën e materialeve termi “mbetje” nënkupton nënproduktet e përftuara nga procese të ndryshme industriale, ndërsa në përdorimin më të përgjithshëm termi “mbetje” është një koncept që nënkupton çdo hedhurinë që rezulton prej aktiviteteve individuale, shtëpiake dhe industriale. Bazuar në këtë të fundit, mbetjet mund të grupohen në këto kategori kryesore: mbetje urbane (të ngurta, të lëngëta), mbetje industriale, mbetje të përpunimit të mineraleve, mbetje bujqësore dhe mbetje të rrezikshme (radioaktive, toksike).

Zakonisht mbetjet konsistojnë në një përzierje komplekse substancash të ndryshme ku vetëm disa prej tyre mund të përbëjnë rrezik për shëndetin. Mbetjet urbane (të ngurta) konsistojnë kryesisht në përzierje të mbetjeve ushqimore, të letrave dhe kartonëve, qelqit, metaleve, drurit, gomës, plastikës dhe tekstileve. Më tepër se 30% e mbetjeve të ngurta urbane përbëhet prej paketimeve dhe rreth 40% e kësaj të fundit është plastikë. Plastika nuk biodegradohet, por kalon nëpërmjet një procesi të njohur me termin fotodegradim, në të cilin rrezatimi diellor e copëton atë në pjesëza gjithmonë e më të vogla deri në përftimin e pluhurit. Plastika nuk zhduket, madje edhe kur ndodhet në gjendje pluhuri ajo mbetet për shekuj duke shkaktuar dëme të mëdha ndaj ekosistemeve. Për shkak të jetëgjatësisë së mbetjeve plastike, sasia e mbetjeve plastike që hidhen, përbën një problem të madh. Në mënyrë direkte ose indirekte, mbetjet urbane ndikojnë negativisht në mjedis, shëndet dhe mirëqenien e ekosistemeve.

MENAXHIMI I MBETJEVE
Menaxhimi i mbetjeve konsiston në të gjithë zinxhirin e aktiviteteve dhe veprimeve të nevojshme për të minimizuar efektet e dëmshme dhe negative të tyre nga momenti i gjenerimit të tyre deri në depozitim dhe riciklim/rikuperim, etj. Kjo përfshin midis të tjerave, grumbullimin, trajtimin dhe depozitimin e mbetjeve bashkë me kornizën ligjore, rregullatore dhe monitoruese. Monitorimi mjedisor i të gjitha burimeve potenciale të mënyrave të ndryshme të menaxhimit kryhet vazhdimisht dhe llojet dhe sasitë e substancave të emetuara prej tyre njihen mirë. Menaxhimi i dobët i mbetjeve kontribuon në ndryshime klimatike, ndotje të ajrit dhe ndikon drejtpërsëdrejti ekosistemet dhe speciet e ndryshme. Metodat kryesore të menaxhimit të mbetjeve janë: Landfilli – depozitimi i mbetjeve në një zonë të projektuar posaçërisht, “groposja” e tyre në një gropë të parandërtuar dhe të veshur me një shtresë të padepërtueshme për të minimizuar emisionet dhe rrjedhjet. Incinerimi – një proces djegie i projektuar për të rikuperuar energjinë dhe reduktuar volumin e mbetjeve për t’u depozituar.

GAZIFIKIMI DHE PIROLIZA
Kompostimi – një proces biologjik aerobik i degradimit të lëndës organike të biodegradueshme. Riciklimi –rikuperimi i materialeve prej produkteve që janë përdorur prej konsumatorëve. Landfilli: Në hierarkinë e menaxhimit të mbetjeve, landfilli është opsioni më pak i preferuar dhe duhet limituar në minimumin më të mundshëm. Agjencia Amerikane e Mbrojtjes së Mjedisit (USEPA) pohon se të gjithë landfillet rrjedhin dhe pohimet e përfaqësuesve të industrisë se “teknologjia më e fundit” e aplikuar mbron ujërat nëntokësore dhe komunitetet nuk janë asnjëherë të vërteta. Mbetjet e ngurta urbane të “groposura” përbëjnë përgjithmonë kërcënim për shëndetin publik, burimet e ujërave nëntokësore dhe mjedisin.

Efektiviteti i shtresave veshëse të landfilleve për të penguar migrimin e rrjedhjeve kompromentohet pas instalimit dhe shkatërrohet me kalimin e kohës, duke lejuar rritjen e sasive të rrjedhjeve që depërtojnë nëpërmjet shtresës veshëse për në sistemin e ujërave nëntokësore që lidhet në mënyrë hidraulike me shtresën fundore të landfillit. Rrjedhjet përftohen kur uji i shiut infiltron nëpërmjet mbetjeve të landfillit. Kur uji bie në kontakt me mbetjet e groposura, ai shpëlan dhe mbart me vete substanca kimike dhe përbërës të këtyre mbetjeve. Sasi të vogla të rrjedhjeve mund të ndotin sasi të konsiderueshme të ujërave nëntokësore, duke e bërë të papërshtatshëm përdorimin e tij.

Përveç rreziqeve të ujërave nëntokësore, landfillet emetojnë gaze të dëmshme. Materialet e biodegradueshme dekompozohen duke emetuar gaze landfilli që konsistojnë kryesisht në metan dhe dioksid karboni si dhe sulfur hidrogjeni dhe avuj merkuri që emetohen në përqendrim të vogël dhe ndonjëherë edhe një përzierje komponimesh organike volatile në sasi prej rreth 0.5%. Incinerimi: Incinerimi përfshin djegien e mbetjeve në temperatura të larta për kohë të gjatë duke mundësuar një reduktim thelbësor të volumit të mbetjeve dhe shkatërrimit të organizmave biologjikë patogjenikë. Nënproduktet e procesit të djegies konsistojnë në emisione gazesh në atmosferë dhe hi mbetës. Djegia e mbetjeve prodhon, gjithashtu, një numër të madh ndotësish, të cilët mund të grupohen në grimca dhe gaze, metale dhe komponime organike. Dhjetë ndotësit e konsideruar me impaktin më të madh potencial në shëndetin e njeriut, bazuar në kohëzgjatjen e pranisë së tyre në mjedis, bioakumulimin, sasinë e emetuar dhe toksicitetin vetjak janë: kadmiumi, mërkuri, arseniku, kromi, nikeli, dioksinat, bifenilet e poliklorinuara (PBCs), hidrokarburet policiklike aromatike (PAHs), grimcat e ngurta 10ìm (PM10) dhe SO2. Incinerimi është një teknologji praktikisht e pamundur për t’u rregulluar dhe kontrolluar.

Incinerimi i mbetjeve emeton elemente kimike toksike si plumbi dhe mërkuri bashkë me tymrat e oxhakut si dhe prodhon nënprodukte në oxhak në disa temperatura të caktuara si dioksina (dibenzodioksina të poliklorinuara) dhe furane. Komponimet organike që kanë tërhequr më tepër vëmendjen lidhur me incinerimin janë dioksinat dhe bifenilet e poliklorinuara, veçanërisht për shkak të aftësisë së tyre për t’u akumuluar në organizëm. Incinerimi nuk i eliminon mbetjet; ai thjesht rishpërndan substancat kimike toksike në ajër dhe prodhon një tjetër formë mbetjesh (hi) që depozitohet në landfille. Gazifikimi dhe piroliza: Gazifikimi, piroliza dhe teknologjitë e plazmës së harkut elektrik tregtohen nga industria si metoda “të gjelbra” të menaxhimit të mbetjeve, por kjo nuk është e vërtetë. Këto pajisje djegin mbetje me pak ose aspak oksigjen, duke i bërë këto teknologji të ngjashme me incineratorët tradicionalë. Ashtu si incineratorët, pajisjet gazifikuese emetojnë hi në ajër që ndot mjedisin dhe dëmton shëndetin me toksina.

Gazifikimi dhe piroliza konsiderohen “të gjelbra”, sepse ato mundësojnë prodhimin e energjisë nga djegia e mbetjeve në vend të rezervave fosile. Djegia e mbetjeve megjithatë nuk është miqësore me mjedisin meqenëse emetohen toksina në ajër. Kompostimi: Kompostimi përdor procesin natyror të dekompozimit për të përshpejtuar dekompozimin e mbetjeve urbane. Nëpërmjet kompostimit të mbetjeve organike tokës i kthehen mbrapsht elementët ushqyes për të mundësuar vazhdimin e ciklit jetësor. Kompostimi biodegradon mbetjet organike, p.sh. mbetjet ushqimore, jashtëqitjen e kafshëve, barërat, letrën, drurin, etj. dhe i kthen ato në pleh organik të vlefshëm që përmban minerale, humus dhe acid humik dhe i lëshon ato gradualisht në tokë. Kompostimi është një proces biologjik i natyrshëm që kryhet në kushte të kontrolluara aerobike (në prani të oksigjenit). Në këtë proces mikroorganizmat e ndryshëm, përfshirë bakteret dhe kërpudhat zbërthejnë lëndën organike në substanca më të thjeshta. Komposti i derivuar prej pjesës organike të mbetjeve urbane mund të përmbajë edhe ndotës organikë si dhe toksina e mikrobe, të cilat përbëjnë rrezik potencial për shëndetin e popullsisë.

EFEKTET SHËNDETËSORE POTENCIALE NË POPULLATË
Nuk ka dyshim që, në varësi të llojit të materialit të pranishëm në mbetje, ekziston një potencial i konsiderueshëm për ndodhjen e ekspozimit të dëmshëm nëpërmjet menaxhimit të mbetjeve urbane. Nivele të mëdha ndotjeje të ajrit, tokës dhe ujit, në disa situata të bëra të njohura, kanë çuar në shqetësim të bazuar mbi efektet potenciale në shëndet të proceseve të menaxhimit të mbetjeve urbane, veçanërisht brenda komuniteteve që jetojnë në afërsi të zonave të trajtimit të mbetjeve. Një individ mund të ekspozohet ndaj një substance me anë të një ose disa rrugëve, p.sh. nëpërmjet frymëmarrjes, konsumimit të ushqimit ose pijeve që e përmbajnë substancën ose me anë të kontaktit të substancës me lëkurën.

Çdo substancë, ndaj së cilës ekspozohemi, mbart potencialin për të shkaktuar efekte të dëmshme. Dëmi që mund të shkaktohet nga ekspozimi ndaj një substance përcaktohet nga doza, d.m.th. sasia e substancës që merret ose bie në kontakt me individin. Në përgjithësi, sa më e madhe doza aq më i madh risku i efekteve negative dhe më të rënda efektet e pritshme. Në të kundërt, në doza mjaftueshmërisht të ulta, asnjë substancë nuk mund të jetë toksike (me përjashtimin të disa substancave kimike që shkaktojnë kancer). Edhe substancat që janë esenciale për organizmin tonë si hekuri mund të jenë toksike në doza të larta. Substancat e emetuara nga menaxhimi i mbetjeve urbane kanë një seri efektesh potenciale mbi shëndetin në varësi të dozës së marrë.

Njihen kryesisht këto efekte/ndikime në shëndetin publik: Irritim i syve: komponime organike volatile Bronshit: grimca të ngurta, dioksid squfuri Infeksione të rrugëve të frymëmarrjes: dioksidi i squfurit Astma: dioksid azoti Pakësim i kapacitetit oksigjen- mbartës të gjakut: monoksidi i karbonit Efekte në sistemin nervor qendror: plumbi, magnezi, monoksidi i karbonit Efekte në sistemin imunitar: plumbi, dioksinat, merkuri, hidrokarburet aromatike policiklike, benzeni, bifenilet e poliklorinuara, komponimet organike të klorinuara, nikeli, kromi, tolueni Defekte të lindura dhe defekte riprodhuese: arseniku, benzeni, kadmiumi, komponimet e klorinuara, plumbi, merkuri, hidrokarburet aromatike policiklike, bifenilet e poliklorinuara Kancer: hidrokarburet aromatike policiklike, arseniku, nikeli, kromi, kloruri i vinilit, benzeni Efekte në mëlçi: arseniku, bifenilet e poliklorinuara, kloroformi, kloruri i vinilit Efekte në veshka: merkuri, kadmiumi, kromi, arseniku, plumbi, hidrokarburet e halogjenuara, tretësit organikë, pesticidet. Siç u përmend edhe më sipër, këto efekte shëndetësore mund të priten vetëm nëse kohëzgjatja e ekspozimit është e mjaftueshme.

NEVOJA PËR NJË KORNIZË TË SIGURT LIGJORE, RREGULLATORE, INSPEKTUESE/ MONITORUESE
Asnjë sistem menaxhimi nuk mund dhe duhet të operojë pa një bazë ligjore dhe rregullatore. Objektivat dhe targetet e vendosura në legjislacionin evropian kanë shërbyer si orientues thelbësor për të përmirësuar menaxhimin e mbetjeve, stimuluar inovacionin në riciklim, limituar përdorimin e landfilleve dhe krijuar incentiva për të ndryshuar sjelljen konsumatore. Pjesa më kryesore e legjislacionit në këtë fushë është Direktiva Kuadër për Mbetjet. Direktiva konturon një hierarki të menaxhimit të mbetjeve: duke filluar me parandalimin, e ndjekur nga përgatitja për ripërdorim, riciklim, rikuperim dhe duke përfunduar me depozitimin.

Synimi i Direktivës është parandalimi i gjenerimit të mbetjeve sa më shumë të jetë e mundur, përdorimi i mbetjeve të gjeneruara si lëndë të para dhe minimizimi i sasinë së mbetjeve që përfundojnë në landfill. Ajo kërkon që mbetjet të menaxhohen pa dëmtuar shëndetin publik dhe mjedisin dhe, në veçanti, pa rrezikuar ujin, ajrin, bimët dhe kafshët, pa shkaktuar bezdisje nëpërmjet zhurmave dhe aromave si dhe pa afektuar peizazhin dhe vendet me interes të veçantë. Baza rregullatore shoqërohet nga sistemet e përputhshmërisë dhe të detyrimit të zbatimit. Shumë sisteme rregullatore të mirë projektuara janë joefektive për shkak se ato nuk zbatohen dhe monitorohen. Çdo vend ka nevojë për një inspektorat të pavarur dhe të fuqishëm me detyrën për të siguruar përputhshmëri me legjislacionin dhe rregullimet që drejtojnë operimin e sistemit të menaxhimit të mbetjeve.

Përfshirja e sektorit privat në menaxhimin e mbetjeve urbane implikon një zhvendosje të rolit të institucioneve qeverisëse nga ofruese shërbimesh në organe rregullatore, delegim te sektori privat dhe monitorim të shërbimeve të ofruara nga kompanitë private. Për fat të keq, institucionet publike në vendet në zhvillim shpesh dështojnë me ofrimin e asaj që kërkohet për të siguruar një transferim të pastër dhe të qëndrueshëm te sektori privat. Në rastin më të mirë, qeveria shpall një ligj për mbetjet urbane, por ai rrallëherë aplikohet, ndërsa sistemet e përshtatshme të monitorimit dhe kontrollit krahas njohurive përkatëse në nivel të qeverive qendrore dhe vendore më së shumti nuk krijohen.

Qeveritë fokusohen në delegimin e përgjegjësive te njësitë e pushtetit vendor, por këto shpesh janë tepër të dobëta dhe nuk kanë mundësitë financiare, strukturën organizatore dhe as kapacitetin profesional të përballen me sfidat e menaxhimit të mbetjeve urbane dhe nuk kanë ndonjë mandat për ta rregulluar sektorin. Krahas këtyre, sektori evoluon me shpejtësi dhe kjo kërkon adaptimin e rregullimit që entitetet publike nuk mund ta bëjnë me shpejtësi. Një pasojë tjetër e limitimit të kapacitetit në nivel institucional është fakti që kontratat e lidhura ndërmjet bashkive dhe kompanive private janë të një cilësie të dobët. Disa nga problemet e kontratave kanë të bëjnë me përcaktimin e paqartë të roleve dhe përgjegjësive si dhe masa të papërshtatshme për minimizim risku. Një çështje tjetër ka të bëjë me tendencën e bashkive për të kontraktuar më tepër shërbime sesa ato janë në gjendje të paguajnë.

NEVOJA PËR NDRYSHIM TË PARADIGMËS SË TË MENDUARIT DHE STILIT TË JETESËS
Paradigma udhëheqëse deri në vitet 70 ishte që mbetjet janë diçka normale, nënprodukte natyrore të industrisë prodhuese në një botë me burime të pashtershme. Kur u realizua që burimet janë të limituara dhe me bërjen të dukshme të problemeve të ndotjeve dhe të shëndetit publik, gradualisht u kalua në një perspektivë tjetër: mbetjet janë të dëmshme dhe të rrezikshme. Kjo paradigmë e re udhëhoqi drejt prodhimit më të pastër dhe riciklimit. Thirrja e re nuk nënkupton të prodhojmë më pak, por të prodhojmë ndryshe, mundësisht pa mbetje ose me mbetje sa më të pakta të biodegradueshme në rastin më pak të favorshëm. Kjo paradigmë e re na ndihmon që ta shohim situatën nga një perspektivë tjetër.

Të synojmë drejt parandalimit të mbetjeve, drejt vizionit: ZERO MBETJE! Në pikëpamjen time, “mbetjet” nuk duhet të jenë çështje vetëm për shkencën materiale, por edhe për shkencat sociale, duhet që këto dy disiplina të punojnë ngushtësisht bashkë. Nga njëra anë nevojitet një edukim i komunitetit për aplikim të praktikave që gjenerojmë sa më pak mbetje në respekt dhe dashuri të jetës, të planetit dhe burimeve të tij të shtershme. Nga ana tjetër shkenca e materialeve tregon që mbetjet mund të përdoren me sukses për prodhimin e materialeve tepër të vlefshme me kosto më të ulët, duke mundësuar edhe mbrojtjen e mjedisit dhe ekosistemeve. Metalet e rënda dhe substancat toksike dhe të rrezikshme mund të “burgosen” përfundimisht duke u lidhur kimikisht dhe duke u bërë pjesë e strukturës së këtyre materialeve. Kjo eliminon edhe mundësinë e rrjedhjeve dhe ndotjeve të ujërave nëntokësore, tokës dhe mjedisit.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: