Në një konferencë nga Lalzi, ku qeveria është duke paraqitur për publikun bilancin e sezonit turistik veror, kryeministri Edi Rama nuk ka nguruar të shprehë kritika për të vetët.

Pas “krisjes” së madhe me Dritan Lelin, kreut të qeverisë duket se nuk i ka dalë ende inati me kryebashkiakun e Vlorës, duke kritikuar qytetin bregdetar për performancën e sivjetshme në turizëm dhe faktin që ka zhgënjyer me pritshmëritë për pastërtinë.

Ashtu siç bëri rreth një muaj më parë në mbledhjen me krerët e Bashkive në vend, Rama edhe sot shpalli kampion të pastërtisë Bashkinë e Lezhës, të drejtuar nga ish-deputeti i PS Pjerin Ndreu, ndërsa theksoi se edhe Tirana nuk është më një simbol i pisllëkut, pas punëve që janë kryer në terren.

Kemi qenë një vend dhe kjo gjë ka vazhduar edhe për disa vite që bënim lajm për pisllëkun. Që dilnim nëpër mediat e huaja si një vend pis, i ndotur. Jo shumë larg që këtu kemi pasur një ndër gangrenat më të mëdha të Shqipërisë dhe kontinentit europian. Fushën e mbeturinave në Durrës që bënte lajm çdo verë. Kemi pasur këtë vit falë punës këmbëngulëse, për të cilin kishim filluar punën një vit më parë, siç kemi filluar punën për vitin e ardhshëm nën drejtimin e ministres së mjedisit dhe shembullit inkurajues të një bashkie, më konkretisht bashkisë së Lezhës, sa i përket pastërtisë. Sot me përjashtimin spektakolar të Bashkisë së Vlorës mund të themi se kemi pasur një sezon jo më të pastër se ndonjëherë, se në krahasim me pisllëkun që kemi qenë, është një sezon realisht i pastër. Duke filluar nga Tirana, të gjitha përshtypjet e të anketuarave për mendimin mbi Tiranën fillojnë me pastërtinë. Një kryeqytet që ishte simbol i pisllëkut, në ato katër vite që ra në gjumë së bashku me atë që gërhiste, tashmë është fakt që është i pastër”, tha Rama.

Por turizmi dhe “nxirja e faqes” nga papastërtia nuk ishin shqetësimi i vetëm i shefit të qeverisë, pasi Rama e nisi fjalën e tij me një mesazh për të rinjtë që tentojnë të emigrojnë në mënyrë të jashtëligjshme, shpesh duke rrezikuar jetën me gomone për të shkuar në Britaninë e Madhe.

Duke konstatuar se shumat e mëdha monetare që paguajnë për t’u larguar në kërkim të parajsës mund t’i përdorin për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri, Rama ftoi “djemtë e Kukësit” që paundët t’i investojnë në sektorin e agroturizmit dhe sipas tij qeveria do t’i përkrahë.

Ata që paguajnë nga 30 mijë paund për të marrë rrugët e emigracionit klandestin në kërkim të parajsës që nuk kanë për ta gjetur, me ato 30 mijë paund mund të bëjnë ekonominë e tyre atje në Kukës. Le të shkojnë dhe të pyesin. Ne jemi gati t’i mbështesim ata të rinjtë që duan të bëjnë agroturizëm në Kukës. Fitojnë shumë më shumë se nga çdo punë në të bardhë apo të zezë në Angli. Nga ana tjetër është fakt që agroturizmi kudo po jep rezultat për ata që e marrin përsipër”, nënvizoi Rama.

FJALA E RAMËS PËR PERFORMANCËN E SEKTORIT TË TURIZMIT:

Hoteleria është një sipërmarrje fitimprurëse por që kërkon kapital intensiv në fillim dhe durim vit pas vitit për të nxjerrë fitime mbi investimin. Ne kemi pasur një sezon surprizues në aspektin e shifrave. Realisht sezoni ka qenë surprizues sa i përket flukseve ë të ardhurave për ekonominë. Vetëm në 6 mujorin e parë kemi kaluar 1 miliardë të ardhura në ekonomi nga turizmi, dyfishin e vitit të kaluar. Deri në gusht kemi qenë në 5 milionë e 600 e ca mijë turistë që është e barabartë me 1.3 milionë më shumë se vitin e kaluar. Flukset e vizitorëve të shpërndara në të gjithë territorin, kemi pasur një diversifikim shumë domethënës të fashave të vizituara nga Veriu në Jug.

Tirana ka pasur një bum të jashtëzakonshëm turistësh që kanë preferuar qëndrimin në Tiranë. Hotelet kanë qenë plot e përplot por ka edhe një numër shumë të madh apartamentesh të marra me qira.  Është domethënëse një shifër që është ajo e pjesëmarrjes së turizmit në volumin e përgjithshëm ekonomik të vendit. Në GDP e Shqipërisë. Kur ne e nisëm punën turizmi ishte rreth 4% në financat e vendit. Jemi në vështirësi në grupin e lojtarëve botërorë të turizmit si Italia dhe Greqia dhe lojtarë rajonal të fortë si Kroacia, Mali i Zi dhe Sllovenia, por pjesëmarrja e turizmit në Prodhimin e Brendshëm Kombëtar është mbi 17%.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb