Në ditën e Europës, kryeministri Edi Rama ka dhënë një mesazh të qartë për opozitën sa i takon reformës zgjedhore, duke theksuar se dialogu mbetet rruga e vetme për të arritur konsensus mes palëve politike.
Ai theksoi se qasjet me imponime dhe ultimatume nuk janë të pranueshme. Rama shtoi se mazhoranca është e gatshme të diskutojë çdo propozim, duke theksuar si objektiv edhe uljen e numrit të deputetëve në Kuvend. Duke u ndalur te reforma administrativo-territoriale, Kryeministri u shpreh se procesi ka qenë gjithëpërfshirës dhe i hapur për debat mes palëve.
“Reforma zgjedhore; Duhet të kontaktoni me drejtuesin e kësaj reforme, që është Gjiknuri. Ne jemi të hapur të dëgjojmë me durim këdo që ulet në tryezë që ulet për të folur e biseduar. Imponime, ultimatume, qëndrime të paracaktuara, besoj se është mjaftueshëm kohë e gjatë, për të kuptuar që me mua dhe ne nuk mund të funksionojnë. Jemi të interesuar që të ulim numrin e deputetëve të parlamentit. Uroj të kemi konsensus. Nga këto çdo diskutim tjetër është i hapur. Sa i përket reformës administrativo-territoriale, procesi ka qenë gjithëpërfshirës.”, tha ai.
