Forcat “Shqiponja” kanë arrestuar ditën e sotme një 40-vjeçar në Tiranë, i cili përmes një dokumenti fals prezantohej si efektiv policie, duke e përdorur këtë edhe për t’u futur në institucione.

Në momentin e arrestimit atij i është sekuestruar edhe një armë zjarri me fishekë në gojë, ndërsa 40-vjeçarit iu gjetën në banesë, municion luftarak, pranga, dokumente të falsifikuara për autorizim hyrjeje në institucione, mbajtëse arme dhe maskë si ato të Policisë.

“Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 3, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative për një shtetas që prezantohej si punonjës i forcave speciale të Policisë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Speciali”.

Gjatë operacionit, në rrugën “Hamid Shijaku”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar shtetasin K. Gj., të cilit, gjatë kontrollit fizik, i kanë gjetur një armë zjarri pistoletë me fishek në fole gati për qitje dhe një krehër me municion luftarak.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale municion luftarak, një palë pranga, dy dokumente të falsifikuara për autorizim hyrjeje në institucione, një mbajtëse arme dhe një maskë si ato të Policisë.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. Gj., 40 vjeç, banues në Tiranë dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’, ‘Mbajtja pa të drejtë e uniformës’, dhe ‘Falsifikimi i dokumentev'”, bën me dije policia.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb