Drejtuesja e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Albana Shtylla, gjatë fjalës së saj në tryezën e 5 vjetorit të Reformës në Drejtësi, ka treguar rolin dhe rëndësinë që ka pasur institucioni që ajo drejton në çuarjen përpara të kësaj reforme.

Ajo tha se procesi i Vetingut ka qenë mjaft i rëndësishëm për reformën, pasi ka kaluar në sitë të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët ndaj të cilëve qytetarët e kishin humbur besimin. Ajo ju drejtua të gjithë skeptikëve të këtij procesi duke shtruar pyetjen.

“A është më mirë një sistem me pak njerëz, apo me shumë njerëz por të pa efektshëm”?

“Kjo Reformë u votua në mënyrë unanime nga Reforma në Drejtësi. Reforma u bë nga korrupsioni, mungesa e transparencës, e eficencës, e njëkohësisht problematikë e dhënies së drejtësisë për qytetarët. Kjo reformë po i shërben asaj për të cilën u krijua. Ajo ka qenë e nevojshme dhe ka pasur pritshmëri të mëdha për një drejtësi të përgjegjshme. Vetingu është një nga shtyllat në Reformën në Drejtësi, i vështirë si proces.

Ajo është destinuar për të futur në sitë gjyqtarët dhe prokurorët. Ky proces është parë si filtër i domosdoshëm që do të kalonin të gjithë magjistratët, përfshirë dhe ata që do të emëroheshin nga KLP me një qëllim final për rikthimin e besimit të publikut te drejtësia e re. Ky proces ka pasur efekt negativ, boshatisje të gjykatave.

Për një kolegj të Posaçëm Apelimi, të gjithë skeptikëve pas 3 vitesh vendimmarrjeje do i drejtoja pyetjen? A janë të rëndësishëm numrat që janë rrëzuar nga ky proces? Apo eficenca e dhënë? A do të kishte besim publiku sot në organet e reja, KLP, KLGJ, pa një filtër të tillë? Jemi të vetëdijshëm që procesi i Vetingut mbetet i vështire për gjyqtarët dhe prokurorët, por mendoj se ka qenë i domosdoshëm dhe i kërkuar”, tha Shtylla.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb