Bashkim Shehu ka lindur në Tiranë në vitin 1955, ndërsa origjina e familjes së tij, është nga fshati Çorush i Mallakastrës, të rrethit të Fierit.  Pasi mbaroi gjimnazin “Petro Nini Luarasi” në Tiranë, ai ndoqi studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në Fakultetin Histori-Filologji në degën e Gjuhë-Letërsi. Që në moshë të re ai kishte pasion letërsinë dhe pas diplomimit ai u emërua me punë si skenarist pranë “Kinostudios Shqipëria e Re” dhe në vitin 1980, ai shkroi skenarin e filmit “Skëterë ‘43” që u realizua nga regjisori i njohur Rikard Ljarja. Pas ngjarjes së 18 dhjetorit të vitit 1981, kur i ati, kryeministri Mehmet Shehu, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit, dhe Enver Hoxha e shpalli armik të popullit e poli agjent”, në janarin e vitit 1982, ai arrestohet dhe dënohet me 7 vjet heqje lirie, i akuzuar, “për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”. Pas kësa, e ëma, dhe vëllai, Skënderi, u internuan fillimisht në Belsh të Elbasanit, nga ku më pas u arrestuan dhe përfunduan në burg, Fiqreti në Zejmen të Lezhës (ku dhe vdiq në rrethana misterioze në vitin 1987), kurse Skënderi, në burgun e Burrelit, prej nga u lirua vetëm në vitin 1991, me të fundit të dënuar politikë. Ndërkohë, vëllai i madh i Bashkimit, Vladimiri, gjeti vdekjen në rrethana misterioze, në shtëpinë e tij në qytetin e Gramshit, (versioni zyrtar, vetëvrasje me korrent), ku ishte internuar menjëherë familjarisht, pas ngjarjes me babanë e tyre në dhjetorin e ’81-it. Me shembjen e regjimit komunist, menjëherë pas viteve ’90-të, Bashkim Shehu, i’u rikthye pasionit të tij, letërsisë, dhe përveçse i pranishëm në shtypin e kohës si publicist e prozator, ai ka botuar edhe shumë libra, ndër të cilët mund të përmendim: “Vjeshta e Ankthit”, “Rrethi”, “Mallkimi ose mosqenia e autorit”, etj. Po kështu veprat e tij janë përkthyer edhe në gjuhë të tjera. Prej vitesh dhe aktualisht Bashkim Shehu jeton në Spanjë me familjen e tij, ku vazhdon të krijoj dhe botoj përsëri. Shkrimi që kemi përzgjedhur për botim këtu, është një triptik, që e kemi marrë nga një prej librave të tij, ku ai përshkruan artistikisht periudhën e arrestimit dhe vajtjen në burg, të cilën po e publikojmë në Memorie.al.

I dergjur mbi një shtrojë të fortë gur, gur prej varri, i palëvizur, s’më mbetet veçse të dëgjoj hapat e atyre që janë lart. E çuditshme sesi mund të çapiten e të ecin mbi një siprinë aq të pjerrët, edhe mbi tjetrën po aq të pjerrët, të prirura nga të dyja anët e një kulmi, siç mund të ninëzohet nga trajta e kësaj kubeje që e kam përmbi krye, edhe ndër sytë e mi, pothuaj parreshtur.

E shmang shikimin s’andejmi veç për ndonjë çast të shkurtër, vështroj për vjedhurazi me bisht të syrit, majtas e djathtas, pa guxuar ta kthej kokën, edhe arrij të dalloj, si më të djathtë, edhe më të mëngjër, të njëjtën gjë. Pako gjë, në fund të fundit.

Dikë që dergjet kështu si unë, i palëvizur. Edhe, afërmendsh, aq më pak guxoj t’i flas, mu sikurse as ai nuk më flet. Edhe, ngaqë s’e kthej dot kokën dhe vetëm vështroj me bisht të syrit, herë me të majtin, herë me të djathtin, domosdo që sytë më lodhen shpejt, edhe e tërë kjo po s’mund të zgjasë.

Diçka më gjatë mund ta kundroj murin përballë, po gjithëpoaq pa e ngritur kokën, pa e bërë as edhe një lëvizje sado të vogël të qafës për ta ngritur. Sidoqoftë, këndi i të pamit është i tillë që shkakton më pak lodhje, dhe veç asaj arrij të kap një fushëpamje më të gjerë. Krejt murin jo, muri me sa duket, vazhdon nga të dyja anët më tej e më tej, sikurse kubeja e pjerrët e majuce atje lart, që shikimi im s’ia rrok dot skajet.

Porse ndërkaq kjo shtrirje e tejme në të dy anët më bën të kuptoj ose të marr me mend, që pas çdo gjase matanë atij që dergjet në të djathtën time dhe atij tjetrit në të mëngjër, vijnë rreshta të dergjurisht të tjerë të palëvizshëm, si lipsana të balsamosura, rreshta që zgjaten e zgjaten në të dy kahjet, madje gati-gati ninëzoj se u zgjatkan pafundësisht.

Ndërkaq, në pjesën e murit që është e kapshme prej syve të mi, shoh do hije, që më shëmbëllehen si merimanga të stërmëdha, e që paprerazi ndryshojnë trajta, sikundër, përkundrazi, është i njëtrajtshëm dritësimi me burim të padukshëm diku prapa, një dritësim i mekët e i verdhëmë, prej të cilit këto hije ngjizen.

Zaten, cok prania e tyre më bën të mos guxoj, të çohem nga shtroja ime e fortë gur, gur prej varri, madje as edhe të kuturis ndonjë lëvizje sado të vogël, përveç asaj të syve. E kështu, me sy, ndjek lëvizjet e hijeve të stërmëdha të merimangave, që aq shpesh më ngjajnë si të jenë hieroglife apo nuk di çfarë shkronjash, edhe që ndryshojnë vazhdimisht, porse kurrgjë nuk po arrij të kuptoj syresh.

Ose, në çastin kur filloj të kuptoj, apo më mirë, kur më duket se edhe pak e do t’ia dal mbanë kësaj, sytë më lodhen dhe shkronjat në mur më kryqozen me njëra-tjetrën. Edhe atëbotë i largoj sytë nga muri dhe s’më mbetet veçse të rri e të dëgjoj hapat e atyre që janë lart.

Kam ndjesinë, prapëseprapë, sikur këta hapa, e paskan njëfarë lidhjeje me hijet e merimangave, apo çfarëdo qofshin, ndoshta hije të rojeve, që as unë edhe as të tjerët si unë të dergjur bri meje, rreshterresht nuk po mundemi t’i shohim.

Po nuk e ajgëtoj dot sesi dhe në ç’mënyrë janë të lidhura. Sidoqoftë, nuk se ndërmarr ndonjë përpjekje, teksa mbaj vesh e dëgjoj hapat e atyre lart. Thjesht, e di që nuk mundem, porse gjithëpoaq nuk mund të rri pa i dëgjuar. E të mahnitem me aftësinë e tyre për t’u çapitur e për të ecur mbi ato siprina, aq të pjerrëta në të dy anët e kulmit.

Nga të ecurit, po ndoshta jo vetëm prej kësaj, ndoshta edhe nga do gjëra, që nuk jam në gjendje t’i shkoqis, i përfytyroj me një pamje si e jona, sado që duhet ta kenë diçka tjetër, diç të ndryshme e të tjetërllojtë, që u jep atë aftësi të mahnitshme. Gjithësesi, nuk e them dot si janë, ndoshta edhe kam frikë ta mendoj, kështu që s’më mbetet veçse të rri e të dëgjoj hapat e tyre, hapat e atyre që janë lart.

Dikur, përsëri kthej shikimin për të kapur me bisht të syrit, ndonjë lëvizje sado të vogël të atij që kam nga e djathta ose të atij nga e majta, apo madje edhe një rrëshqitje sado të shkurtër të shikimit të tyre drejt meje me bisht të syrit. Mirëpo kjo nuk ndodh.

Megjithatë, ka të ngjarë që edhe ata të hedhin vështrime, kur e kur, ashtu si unë, veçse gjasa që vështrimet tona të ndeshen mbetet tepër e pakët, përderisa syri lodhet shpejt dhe koha e vështrimit është e papërfillshme, ndërsa tejzgjatja e kësaj gjendjeje me përsëritje të panumërta vështrimesh, nuk ndryshoka gjë në këtë mes. Është një kohë e pambarimtë, ose që ka mbetur e ngrirë. Nuk di se ku jam dhe nuk di si mbërrita këtu, aq sa më bëhet sikur këtu kam qenë qysh në krye të herës.

Tashmë nuk mbaj mend askurrëgjë nga jeta ime e mëparshme. Edhe as ata që kam përbri nuk flasin, më kot pres të dëgjoj prej tyre ndonjë fjalë çfarëdo, e jo më që të më dëftojnë ku jemi e se si erdhëm. Ndërkaq, e vetmja ngjarje që më kujtohet, por që nuk mjafton për të hedhur sadopak dritë në mugun e dendur të së kaluarës, është ajo e udhëtimit të fundit, e udhëtimit që më solli këtu.

Mbaj mend, pra, që troshitesha në brendësirën e errët të një arabaje. Nuk di të them sa zgjati, edhe asgjë nuk mund të shihja, arabaja ishte e mbyllur nga të gjitha anët. Një herë, duke kërkuar me duar përmes territ, sado i kisha të lidhura si edhe këmbët, e kjo s’më lejonte të vërtitesha lirisht e të kthehesha nga të doja, duke kërkuar me duar përmes territ, pra, gjeta një mazgalle të ngushtë, nëpër të cilën e hodha shikimin një çast përjashta.

Ishte një fushnajë shkretane, e zhveshur, nën qiellin e errët me një hënë të ngrënë midis. Edhe pastaj gjithmonë e njëjta pamje, kështu më kujtohet paksëpaku, ndërsa nuk di e nuk jam në gjendje të them, sa herë u ngjesha te mazgalla që të shihja përjashta, apo nëse ka qenë një herë e vetme dhe përsëritja s’ishte veçse ëndërr.

Ose ndoshta e tëra ka qenë ëndërr, një ëndërr që më kthehet e më kthehet vazhdimisht këtu në kriptën ku qëndroj i palëvizur edhe zgjohem me beft, pa e kuptuar ku ndodhem edhe rri e dëgjoj hapat e atyre lart. Sidoqoftë, mazgallja m’u mbyll dikur, ndoshta e zënë me ndonjë cohë të zezë, edhe më të zezë se nata. Ose mundet që tashmë të kisha hyrë në atë tunelin e angësht, ku e pashë veten më së fundi, nëse edhe kjo nuk qe veçse ëndërr.

Diku tej, shquajta një dritëz, e cila sa vinte e zmadhohej, gjersa më verboi krejt. Pastaj nuk pashë më asgjë, të pamët m’u kthye vetëm tek u gjenda i shtrirë përmbi këtë shtrojë të fortë, si përmbi një rrasë varri apo ku di unë më. Sërishmi jam zgjatur me beft nga ëndrra, aty për aty, vetvetishëm vë veshin të dëgjoj hapat e atyre që janë lart, duhet të jem zgjuar pikërisht ngase paskam ndjerë njëfarë boshllëku, që vihem i tëri ta dëgjoj për ta kuptuar se ç’është, që është mungesa e hapave të atyre lart, që nuk po u dëgjokan.

Kthej sytë majtas e djathtas, me bisht të syrit gjithëherë, po askënd nuk shoh bri meje. Guxoj të çohem në bërryla, nga të dy anët shtrojet e njënjëshme janë të zbrazëta, rrjeshterrjesht nga të dyja anët duke u zvogëluar e tretur pamja e tyre diku larg.

Edhe, ashtu i ngritur në bërryla, e çoj vështrimin nga muri, me shpresën se hijet e mëdha në trajtë kandrrash, ato hieroglife që lëvizin e ndryshojnë pareshtur, diçka po do të më shpjegojnë, për sa u rrëfye gjer këtu, të më rrëfejnë fundin e kësaj, që paksëpaku të mund të them se nuk ka qenë ëndërr, edhe se hapat e atyre lart i paskam dëgjuar përnjëmend.

Porse edhe ato, hijet, hieroglifet që ndryshojnë pareshtur, janë zhdukur nga muri. Rrotullohem dhe shikoj në drejtimin e kundërt, aty ku ngjizeshin ato hije përkundrejt dritës së mugët, si të nëndheshme.

Nuk shoh asgjë, madje as edhe burimin e dritës, që mesa duket vërtet vinte nga nëndheu. Gjithësesi, ëndërr apo zhgjëndërr, nuk gabohesha tek mendoja se hijet që përftonin hieroglifet në mur qenë të lidhura njëfarësoj me hapat e atyre lart.

Prandaj, tani që hapat nuk dëgjohen më, edhe hijet po janë zhdukur. Në ëndërr apo në zgjëndërr, çohem nga shtroja ime e fortë, rrasë varri, dhe nis të eci në shtegun midis rreshtit të shtrojave tashmë të zbrazëta dhe murit, ashtu kot, pa ndonjë synim të caktuar. Mbërrij kësisoj te një portë, jo aq larg sa ç’e kisha pandehur, teksa më përhihej gjer pak më parë e pamat kjo fare kripte.

Porta është paksa e hapur, veçse jo aq sa të mund të shohësh përtej. Mirëpo nuk më bëhet ta shtyj portën. Vështroj një grime drangun e saj, që s’është më i tillë, shndërruar në një diçka të lëngët veshtullore që sikur do të bjerë pikë-pikë përdhe.

Edhe kthehem sërishmi atje ku kisha qenë, te shtroja ime e fortë, rrasë varri, ose te ndonjë nga shtrojat e tjera, të gjitha të njëjta dhe të gjitha tashmë të zbrazëta, edhe dergjem aty i palëvizur, duke pritur të dëgjoj sërishmi hapat e atyre lart.

Muri

Duhet të jenë dy, ndërsa unë jam i vetëm në qelinë time, po nuk se ua kam zili, asnjë grimë. Kështu, më mirë i vetëm, gjer të më vijë ora për të vdekur. Çdo natë, në çdo orë, mund t’ia behin e të më marrin. Sa herë bie të fle, nuk më shqitet trush ninëzimi i asaj, që ka për të ndodhur pashmangshëm.

Kërkëllima e drangut të derës së qelisë, disa gardianë që hyjnë brenda, herë më bëhen dy, herë tre, ose më shumë, pastaj mugëtira e korridorit të gjatë me dyer të shumta, të njënjëshme, në të dy anët rreshterresht, pamja e qiellit, pamje fluturake gjithsesi, dhe ndoshta me një hënë të brejtur, shëmbëlltyrë e një zogu të ngurosur në gdhendjet e stërgjyshërve tanë më të lashtë në agun e kohërave, kjo hënë e përjetshme, e para dhe e fundit, teksa zhytem në errësirën e furgonit të mbyllur nga të gjitha anët.

Pastaj, mbas një troshitjeje që kushedi se sa do të zgjasë, ndalemi rrëzë një shkarëzime dhe aty, pasi dikush më heq skafandrën, po jo zinxhirët me të cilët jam i lidhur këmbë e duar, skuadra e pushkatimit, nga fare afër, shkreh një batare të pafundme rruzujsh të vegjël prej zjarri, dhe unë pothuajse e ndjej sesi ma shpërthejnë kafkën e m’i shqyejnë trutë.

Në fillim, fill mbas gjyqit, pamjet më vinin kështu, të njëpasnjëshme e me një renditje e rrjedhshmëri e qartësi të përkryer e të pagabueshme, a thua përnjimend po e jetoja vdekjen time. Ndaj dhe mundohesha e rrekesha ta shqitja mendjen soje duke e davaritur andej-këtej. Kurse tani më vijnë këto pamje copëra-copëra, ashtu përzierazi, edhe vetëm kur më avitet gjumi.

Ditën është tjetër gjë. Ditën më dynden në kujtesë gjithfarë ngjarjesh të jetës sime, e jo veç ngjarje të rëndësishme, po edhe hollësira që nuk përbëjnë ngjarje, e që s’i kisha kujtuar ndonjëherë.

Por kjo nuk se më mbush me dhimbje ose keqardhje për vetveten. Me vdekjen time tashmë u mësova. Ndaj dhe nuk ua kam zili të tjerëve përreth, prej të cilëve më veçojnë muret, sikurse nuk ndjej zili për ata lart pse janë dy, ndërsa unë këtu jam i vetëm.

Më mirë kështu i vetëm, që ta përbluaj në kujtesë jetën time dhe ta jetoj sërish e sërish. Madje qoftë dhe tani, në këtë orë tek më avitet gjumi dhe teksa ma dëbon gjumin herëpashere ajo ëndrra me sy hapur e asaj çka do të më ndodhë pashmangshëm, e që edhe sonte po mund të ndodhë, në çdo orë të natës. Qoftë dhe tani, që trutë i kam të lodhura e shpirtin të molisur e të ligështuar.

Më duhet të bëj përpjekje, pra, që të shqitem s’andejmi, nga ajo ëndrra e para gjumit, ëndërr në sytë e mi të gapërruar, që më kaplon të tërin.

Ja, hapat e atyre lart kanë pushuar dhe s’i numëroj dot, s’kam se ç’të numëroj, kështu që, për të mos i lënë asnjë qoshe për asnjë çast në trutë e mi ëndrrës së kobshme të vdekjes, përpiqem të mendoj se nesër në mëngjes do të merrem me të tjera ëndrra, me ato që do të shoh gjatë natës, e pastaj vetiu do të vijnë kujtime nga më të ndryshmet dhe kam për ta jetuar jetën time sërish e sërish.

Kështu, gjersa të vijë ora e gjumit, e atij gjumi që herëpashere do të ma dëbojë një ëndërr e kobshme, ëndrra e para gjumit në sytë e mi të gapërruar, e atëherë do të duhet të përpiqem, ashtu si tani, të shqitem s’andejmi, duke menduar mëngjesin e së nesërmes me ëndrrat e tjera, që do të kem parë gjatë natës, dhe vazhdimin e ditës me kujtime nga më të ndryshmet për ta jetuar jetën time sërish e sërish, ose t’ua vë veshin, në atë orë teksa gjumi më avitet dhe ninëzimi i së pashmangshmes gjithë më avitet, t’ua vë veshin, pra, për t’u shqitur së këtejmi, hapave të atyre që janë lart.

E t’i numëroj, gjer të më zerë gjumi. Porse jo çdo natë hapat e atyre lart vazhdojnë aq. Ndodh që ato të rreshtin e unë të jem zgjuar, përballë makthit të skuadrës së pushkatimit, copëra përfytyrimesh që m’i përshkojnë trutë ashtu si rruzujt prej zjarri të bataresë së pafundme.

Si tani, në këtë grimë. Hapat e atyre lart kanë reshtur dhe unë gjendem në boshllëkun e errët të brendësirës së një fugoni. Rrekem të dal s’andejmi duke menduar mëngjesin e nesërm, duke u zgjuar nga ëndrra të reja, me të cilat po do të merrem, porse grimën tjetër gjendem nën një qiell të errësuar me zogun e ngrirë të hënës midis, vetëm për një grimë kështu, e pastaj sërishmi brenda fugonit. Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: