Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu i pranishëm në forumin e IDU-së në Zagreb dha një prononcim për mediat. Sipas Mediut, Shqipëria është në fokus të këtij forumi për shkak të shqetësimeve për demokracinë dhe sigurinë.
Prononcimi i kreut të PR, Fatmir Mediu:
Dua të sqaroj se, IDU-ja si një nga organizatat ndërkombëtare konservatore, ka si anëtare të saj dhe Partinë Demokratike dhe Partinë Republikane, të cilat janë partnerë dhe aleatë, domethënë, parti dhe në Shqipëri por edhe në këtë forum.
Gjithashtu së dyti, dua të them që ky forum është ndoshta nga forumet më mbështetëse të zhvillimeve në raport me opozitën në Shqipëri. Ka ngritur shqetësime të jashtëzakonshme për përdorimin e gjyqësorit, për mungesën e zgjedhjeve të lira e të ndershme, për krimin dhe korrupsionin, për probleme të cilat rëndojnë Shqipërinë, por dhe për çështje të cilat Shqipëria afekton edhe sigurinë dhe problemet në rajonin e Ballkanit.
Është një nga forumet më të organizuara ku personalitete të ndryshme organizohen dhe diskutojnë për çështje thelbësore dhe në kontekstin e tanishëm të problemeve të mëdha të sigurisë, të marrëdhënieve brenda NATO-s, problemet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Europën.
Bashkimi i të gjitha palëve, Amerikë, Kanada, Australi, edhe Europë, për të diskutuar në mënyrë të përbashkët është një element jashtëzakonisht i rëndësishëm. Zoti Berisha do të jetë në një panel që ka të bëjë me Ballkanin, por pjesa tjetër padyshim që do të jetë proaktive domethënë në diskutime dhe për çështje të tjera.
Dua të theksoj që shumë e rëndësishme është dhe një fakt, domethënë, për disa rezoluta që ne kemi paraqitur, jo vetëm në kontekstin shqiptar, por sidomos në kontekstin e një prezence dhe një funksionimi të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s në Ballkan dhe si një partner i Serbisë, për të vazhduar pastaj edhe me influencat dashakeqe të disa vendeve siç është Rusia dhe Kina në raport me rajonin e Ballkanit dhe për fatin e keq domethënë, ndikimi që ato kanë në jetën politike, në jetën ekonomike dhe në zhvillimet gjeopolitike dhe rolin që duhet të kemi ne si vend në raport me këto zhvillime. Pra është një forum jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe shpresoj që në një të ardhme do ta zhvillojmë një forum të tillë edhe në Tiranë.
