Nga Qemal Lame

Pjesë nga libri “Miq dhe armiq”

Pasardhësi do të paragjykohej, do t’i nënshtrohej dënimit politik dhe eliminimit të shpejtë

Në rrethanat e krijuara pas ngjarjes së fejesës së prishur të djalit të kryeministrit ka filluar të flitej më hapur në familjet e udhëheqjes në Bllok dhe në vetë anëtarët e Byrosë Politike se Mehmet Shehu po vepron duke e mbivlerësuar veten si “numri një”, faktikisht po dublon dhe anashkalon Enver Hoxhën, kur ai aktualisht është zyrtarisht Kreu i Shtetit, ushtron funksionet me pushtetin e tij absolut dhe në kohën kur ai është akoma i gjallë. Enveri fillimisht do të deklaronte vendimin e tij për pasardhësin që do të kujdesej për shëndetin e tij. Në fund të muajit shtator të vitit 1980, pas vizitës së përditshme të mëngjesit, Enveri i ka kërkuar mjekut personal Isuf Kalo që të qëndronte ende pak minuta.

Në intimitet Enveri i ka komunikuar shkurt vendimin e tij: – “… Nëse ke diçka për të biseduar ose kërkuar për shëndetin tim, mund t’i drejtohesh Ramizit! E qartë, kuptove? – “Si urdhëron, ju kuptova”, shoku Enver. Do të komunikoj vetëm me shokun Ramiz.

Isuf Kalo ka siguruar e garantuar udhëheqësin se ka kuptuar vendimin dhe do të respektojë vullnetin e tij. Isuf Kalo ka shpjeguar se nga ai moment ai ka kuptuar mesazhin e vendimit të marrë, se Mehmeti nuk ishte më pasardhësi dhe ishte vendosur eliminimi i tij. Dallimi midis Hysniut dhe Mehmetit në marrëdhëniet me Enverin dhe kujdesin për shëndetin e tij. Në rolin që ka luajtur Mehmet Shehu pas vdekjes së Hysni Kapos ka rëndësi të njihet dhe të vlerësohet fakti se deri ku ishte parametri maksimal i besimit që kishte Enveri ndaj Mehmetit. Në bazë të të dhënave të bëra të njohura nga familjarët dhe mjekët, del se është e vërtetë se edhe Mehmeti pyetej nga mjekët për problemet shëndetësore të Enverit.

I natyrshëm ka qenë kujdesi dhe roli vendimtar i Nexhmijes si bashkëshorte besnike. Ajo pyetej e para dhe vendoste për gjithçka që mendohej se ishte e domosdoshme dhe e dobishme për shëndetin e bashkëshortit të saj. Në krahasimin e rolit të Hysniut dhe të Mehmetit në raport me Enverin merr rëndësi fakti se Hysniu si sekretar i Komitetit Qendror për organet e diktaturës e të kuadrit ishte personi që realizonte porositë dhe merrte vendimet e rëndësishme për drejtimin e partisë, duke vepruar në emër të Enverit. Me këtë cilësi ai imponohej edhe në veprimtarinë shtetërore, sidomos duke ndikuar drejtpërdrejt në veprimtarinë e përditshme në organet e punëve të brendshme, të ushtrisë, të drejtësisë etj. Mehmeti nuk kishte të drejta të tilla. Ai kryente vetëm ato të drejtimit të Qeverisë.

Qemal Lame (1)
Qemal Lame

Mehmeti papritur nuk do të ishte më i besuari, do të mënjanohej dhe do të zëvendësohej nga Ramiz Alia për kujdesin ndaj gjendjes shëndetësore të Enverit. Kjo masë dhe ky qëndrim diametralisht i kundërt do të ishin edhe ndarja efektive personale e zyrtare dhe demonstrimi i pritshëm i armiqësisë vdekjeprurëse. Humbja e besimit për ruajtjen e jetës së Enverit tregonte edhe prishjen përfundimtare të marrëdhënieve miqësore e zyrtare midis dy personave më të rëndësishëm të njohur të kohës. Pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të Enverit në vitin 1972, dihej se pas Nexhmije Hoxhës do të ishte Hysni Kapo, personi që do të pyetej nga mjeku personal për problemet që dilnin për gjendjen shëndetësore të Komandantit. Pas vdekjes së Hysniut kjo detyrë iu besua Mehmetit.

Papritur, në fund kjo detyrë me domethënie të madhe për familjen Hoxha dhe midis anëtarëve të Byrosë Politike i kaloi përfundimisht Ramizit, duke e afirmuar me statusin e ëndërruar si pasardhësi i besuar i udhëheqësit. Marrjen e kësaj detyre e ka dëshmuar edhe vetë Ramiz Alia, kur flet për mjekun Isuf Kalo në librin “Enveri ynë”.

Mehmet Shehu mund të thuhet se ka parashikuar dhe ka qenë i ndërgjegjshëm se do të pësonte fatin tragjik të njohur të shokëve që humbnin besimin dhe do të eliminoheshin me rreptësi nga Enver Hoxha. Mehmeti, është e natyrshme dhe e arsyeshme që të thuhet qartë se ai e ka kuptuar vendimin për ndëshkimin dhe eliminimin e tij. Ai ka qenë personi që ka pasur kontakte dhe marrëdhënie të ngushta zyrtare dhe shoqërore me Enverin që nga koha e Luftës Nacionalçlirimtare, ka dhënë kontribute të njohura në periudhën e gjatë të socializmit duke drejtuar qeverinë, ka qenë dëshmitar, protagonist dhe në ngjarjet e rënda ka qenë zbatuesi i besuar i politikës së luftës së klasave e urdhrave direktë nga Enveri, duke ruajtur me fanatizëm sekretin e aksioneve të fshehta, krimet e mbetura akoma të pazbuluara.

Përvoja e bindte se ai do të ishte viktima e radhës, që do t’i nënshtrohej vendimit kapital të dënimit dhe eliminimit. Ai nuk mund të kishte aludime për ndonjë ndjenjë sentimentalizmi të Komandantit ndaj tij për ta dënuar, por të lihej të jetonte. Mehmeti ka qenë i bindur se për vetë shërbimin e besuar dhe kohën e gjatë që kishte në detyrat më të larta partiake dhe shtetërore, si dhe si personi më i rëndësishëm që kishte dijeni dhe ishte protagonisti më i rëndësishëm për ngjarjet dhe si autor kryesor i realizimit të urdhrave të Komandantit, do të pësonte fatin e personave të eliminuar dhe që do të hynte në histori me legjendën e enigmës së eliminimit të tij.

Enver Hoxha ishte autoriteti më i lartë dhe me pushtetin e pakufizuar që do të mund të vendoste e urdhëronte eliminimin dhe zhdukjen e Mehmet Shehut. Fundin e caktuar përfundimisht e ka ditur dhe e ka pritur vetë Mehmeti. Këtë e dëshmon edhe djali i tij.

“Rënia e Mehmet Shehut për 3 muaj e gjysmë që nga fillimi i shtatorit gjer më 18 dhjetor 1981 ishte e pandalshme. Të paktën Mehmet Shehu vetë nuk bëri asgjë për ta ndalur këtë rënie. Nëse bëri diçka, ajo ishte pikërisht e kundërta e asaj që duhej të bënte, e vetëflijimit, vetëqortimit, dorëzimi i plotë i vetvetes ndaj vullnetit të shokut të tij dhe torturuesit dhe vrasësit të tij, Enver Hoxhës”.

Vlerësimi kritik për mosreagimin e Mehmet Shehut është përgjithësisht i drejtë po të analizohet në këndvështrimin e akuzave të rënda politike ndaj një kryeministri, një prej funksionarëve më të lartë të partisë dhe të shtetit. Por realiteti i atëhershëm ka qenë krejt ndryshe. Drejtimi i partisë dhe i shtetit me anë të pushtetit absolut, qëllimi për të mbajtur me çdo mjet pushtetin deri në vdekje e përjetuar pas vdekjes duke e trashëguar pushtetin te pasardhësi i zgjedhur prej tij, si dhe zbatimi me fanatizëm i masave dragoniane politike dhe ligjore, kishin ndikuar në vendosjen e raporteve zyrtare të detyrueshme dhe në bindjen e padiskutueshme ndaj urdhrave dhe vendimeve të udhëheqësit kryesor. Nuk kishte asnjë mundësi për të shprehur lirshëm mendimin, për të argumentuar qëndrime personale dhe për të kërkuar drejtësi për pikëpamjet, veprimet e kryera, të metat, shkeljet apo qëndrimet që mund të cilësoheshin si faje dhe kërkohej apo vendosej ndëshkimi me masa disiplinore ose ligjore. Çdo tentativë, sado e vogël dhe në çfarëdo forme që do të bëhej, qoftë edhe me mendime indirekte, do të pengohej brutalisht dhe do të ndëshkohej direkt, pa lejuar të përhapeshin ide dhe mendime në kundërshtim me ato të udhëheqësit kryesor.

Çdo pjesëtar i udhëheqjes së kohës dhe në tërësi çdo person që do të tentonte të ngrinte zërin qoftë edhe me tone lutëse, do të goditej me forcën e pushtetit të pakufizuar personal dhe ndaj tij do të vepronin automatikisht organet e zbatimit të dhunës shtetërore. Mehmeti e kishte të qartë gjithë përvojën e përjetuar që nga Lufta Nacionalçlirimtare, dënimet masive pas Çlirimit të personave të cilësuar si bashkëpunëtorë dhe ndihmës të pushtuesve nazifashistë, dënimet në luftën e klasave që u shtri edhe në radhët e komunistëve dhe u ngrit në udhëheqjen e Partisë së Punës për të eliminuar kundërshtarët politikë.

Për këto arsye ai nuk ka bërë asnjë veprim për të mbrojtur vetveten dhe demaskuar manipulacionet që po bëheshin për të vënë në lëvizje procedurën e njohur të mekanizmit të eliminimit të tradhtarëve të udhëheqësit kryesor. E vetmja që ai kishte mundësi të bënte dhe e përdori sa mundi ishte qëndrimi i tij autokritik në bisedën direkte me Enver Hoxhën, më 11 shtator 1981, si dhe në Byronë Politike, më 17 dhjetor 1981. Me këto mundësi që lejonin kushtet e sistemit dhe metodave qeverisëse të asaj kohe, Mehmeti dha mendimet e tij, i dokumentoi me shkrim. Me anë të reagimit njerëzor ndaj një krimi të organizuar dhe të pamundur për t‘u shmangur, Mehmeti do të përballonte akuzat dhe dënimin kapital.

Me këtë qëndrim të mbajtur në bazë të kushteve imponuese të asaj kohe, Mehmeti dëshmoi me idetë, arsyet, qëllimet, vullnetin dhe karakterin e tij të fortë dhe të njohur si të palëkundshëm. Kështu, ai dëshmoi edhe pafajësinë e tij me vetëflijimin, vetëqortimin, deklarimin pa rezerva të mendimeve të tij përballë mendimeve dhe vullnetit të shokut dhe mikut të tij që nuk toleronte dhe nuk tërhiqej nga vendimet e rënda ndaj atyre që rrezikonin pushtetin e tij personal. Mehmeti përballoi me qetësi torturën e procedurës së analizës në Byronë Politike për ta eliminuar me pretekstin e “gabimit të madh politik të fejesës së djalit me vajzën e një familjeje armiqsh”.

Me këtë qëndrim vetëflijues Mehmeti ia lehtësoi Enverit realizimin e vendimit për ta eliminuar. Me këto përfundime djali akuzon me qartësi, siguri dhe vë edhe theksin tek Enveri duke e cilësuar fajtor dhe duke e personifikuar konkretisht për autorësinë e vrasjes së babait të tij. Besueshmëria e këtij përfundimi të arritur nga analiza e ngjarjeve dhe përvoja direkte e jetës së tij, si dhe e pjesëtarëve të tjerë të familjes Shehu, kanë rëndësinë e gjykimit objektiv dhe mbeten si dëshmi me vlerën e provës ligjore gjyqësore.

Qëndrimi që ka mbajtur Mehmet Shehu në fund të jetës së tij është edhe shfajësim dhe një tregues që ka vlerë edhe për rehabilitimin në masën e mundshme edhe për qëndrimet e njohura të mëparshme, për fajet dhe përgjegjësitë për të kaluarën, për krimet dhe pasojat e rënda të luftës së klasave dhe misteret e pazbuluara të krimeve politike ku ai ka qenë protagonist si zëvendës e më pas ministër i Punëve të Brendshme si pasues i Enverit dhe zbatues i bindur i urdhrave të tij.

Likuidimi i Mehmet Shehut në katër muaj Vjeshta e vitit 1981 u dallua për tronditjen e madhe dhe publikimin e gjendjes së rëndë politike, instrumentalizimin në formë zyrtare të luftës për pushtet, të synimeve dhe realizimit të qëllimit për marrjen e statusit si pasardhës pas vdekjes së Enver Hoxhës. Në vazhdim të realizimit të masave për eliminimin e viktimës së radhës, të Mehmet Shehut, filluan të demonstrohen reagimet e hapura që ishin njëkohësisht edhe indikatorët e nxitjes më me shpejtësi të skenarit për eliminimin e kryeministrit dhe vënien në plan të parë të pasardhësit të zgjedhur nga vetë udhëheqësi.

Në atmosferën e qetë, miqësore dhe komunikuese të familjeve që ishin në drejtimin e partisë dhe të shtetit papritur ndodhi edhe një acarim i marrëdhënieve të Nexhmijes me Fiqiretin. Shumë dëshmi të personave që ishin pjesëtarë të Bllokut vënë në dukje ftohjen dhe situatat shpërthyese të kundërshtimeve dhe përplasjeve për gjëra deri të parëndësishme midis këtyre dy shoqeve gjimnaziste dhe aktualisht dy gratë e njerëzve më të rëndësishëm të regjimit të kohës. Qëndrimi i Nexhmijes kundër Fiqiretit nuk mund të mendohet se bëhej pa dijeninë e mbështetjen edhe të Enverit. Përvoja e filozofisë popullore tregon se kur gratë shfaqin hapur qëndrimet e tyre të kundërta dhe grinden qoftë edhe për gjëra të thjeshta, lënë të kuptohet se burrat e tyre kanë probleme me njëri-tjetrin, kanë prishur marrëdhëniet, janë në armiqësi dhe priten ngjarje e pasoja të rënda.

Përplasjet e hapura që filluan midis dy familjeve kryesore morën kuptimin e tyre të ndarjes së klaneve dhe të distancimit edhe me qëndrimet e oficerëve dhe të personelit të shërbimit në ruajtjen dhe sigurinë e Enverit e Mehmetit dhe të familjeve të tyre. Punonjësit pranë kryeministrit reaguan duke ndryshuar qëndrimet dhe sjelljet e tyre. Ata nëpunës të sjellshëm, të dashur, të bindur, të përkushtuar në punën e tyre për të realizuar me ndërgjegje çdo porosi dhe vendim të kryeministrit menjëherë sa ndodhi përplasja e parë midis udhëheqësit dhe pasardhësit u distancuan, mënjanonin përshëndetjet, kontaktet, bisedat, nuk reagonin menjëherë, u shmangeshin kërkesave direkte etj.

Megjithatë, nuk mund të ndëshkohen për ndryshimin e etikës së tyre morale. Në kushtet e situatës së rënduar dhe në pritje të vendimeve të ashpra që ata, më shumë se të tjerët, ishin në dijeni dhe të sigurt se do të ndodhnin shpejt, secili kërkonte të mos e merrte vala e zemërimit të Komandantit dhe të vetëflijohej për kryeministrin, të cilin nuk e shpëtonin dot, por kishin në mundësitë e tyre që të mos bëheshin viktimë me qëndrime që do të ndëshkoheshin në vazhdim të masave për rregullimin e raporteve të reja që do të vendoseshin. Demonstrimi i qëllimshëm i marrëdhënieve të ngushta midis Enverit dhe Ramizit bëhej për t’u kuptuar, imponuar e realizuar faktikisht në udhëheqje distancimi i hapur nga Mehmeti.

Demonstrimi i marrëdhënieve të Enverit me Ramizin në Bllok dhe vilat e tjera të pushimit kishte si qëllim që fillimisht elita udhëheqëse të kuptonte, pranonte dhe të ambientohej faktikisht edhe në mënyrë figurative me pasardhësin. Enveri afirmonte dhe mbështeste hapur njeriun e tij më të besuar. Me këtë mbështetje Ramiz Alia vetë po fillonte të impononte një realitet të ri. Ai vepronte zyrtarisht si person që drejtohej dhe ishte tërësisht i nënshtruar dhe i bindur ndaj “pushtetit gri” në rritje të Nexhmijes. Megjithatë nuk mund të nënvleftësohen përvoja e aftësia e tij për të marrë pushtetin si pasardhës.

Nexhmije Hoxha vetë dëshmonte hapur me qëndrimet e saj se kishte marrë në krahun e saj Ramizin, të njohur se vepronte nën ombrellën e pushtetit faktik që ajo ushtronte në emër dhe nën autoritetin absolut të Enverit. Faktikisht Nexhmija qëndronte realisht dhe vepronte praktikisht në majën e piramidës së partisë-shtet, në emër të vetë Enverit të sëmurë dhe në pamundësi për të realizuar funksionet e përditshme të Kryetarit të Shtetit. Mehmeti po mënjanohej, po i lihej të kuptonte se dënimi i tij ishte vendosur dhe shpejt do të realizohej. Njëkohësisht, ngritja e Ramiz Alisë ishte e dukshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb