DURRËS
Banorët e pallatit të shembur në Durrës, në ish-lokalin Barons, kanë zhvilluar një protestë para Bashkisë.

Gazetarja Klodjana Haxhiaj raporton për “BalkanWeb”, se banorët kërkojnë që pallati, i shembur nga dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019-ës, të rindërtohet në vendin ku ishte më parë.

Ndërkohë, janë shprehur kundër vendimit të Bashkisë, që kërkon të ndërtojë në sheshin e liruar nga shembja e pallatit një memorial. Banorët e pallatit nr. 1032 lagja 6, Durrës, kërkojnë me çdo kush të mos u zihet sheshi, pasi pretendojnë se ajo është pronë private.

Protestuesit kanë sqaruar se nëse nuk i zgjidhet kjo problematikë, çështjen do e çojnë deri në gjyq, pasi dyshojnë se sheshi do të shfrytëzohet më vonë për ndërtime nga firmat preferenciale të Bashkisë. Ndërkohë Bashkia e Durrësit, u ka dërguar një shkresë banorëve, ku thuhet se ata do të strehohen në banesat kolektive që do të ndërtohen në Durrës, ndërkohë që në vendin se ku do të ndërtohen këto banesa, nuk ka asnjë dijeni.

Njoftimi i Bashkisë së Durrësit:

Në lidhje me shqetësimin e banorëve të pallatit në lagjen 6 (pallati barons) Bashkia e Durrësit deklaron se:
1. Bashkia e Durrësit ka detyrimin që të strehojë në shtëpi të reja brenda Durrësit të gjithë ata banorë që kanë humbur shtëpitë e tyre nga tërmeti. Edhe banorët e pallatit në fjalë do të strehohen në shtëpi të reja dhe më të sigurta nga ato që kanë patur përpara tërmetit. Sipas planit të detyruar vendor për zonën e dëmtuar pikësore për 4 banesa kolektive, Bashkia Durrës, i miratuar me vendim nr.591 datë 18.08.2021, është parashikuar që të ndërtohen disa banesa shtesë në pallatin nr.14 në lagjen 17(pallati i Kastratit). Pra banorët e pallatit në lagjen 6 do të strehohen në pallatin nr.14(pallati i Kastratit) që do të rindërtohet.
2. Ata do të marrin shtëpi të reja në pallatin e ashtuquajtur pallati i Kastratit që do të rindërtohet.
3. Banorët e këtij pallati kanë përfituar bonusin e qerasë dhe do të vazhdojnë ta përfitojnë atë derisa të strehohen në shtëpitë e tyre të reja.
4. Në vendin ku më parë ka qenë ky pallat do të ketë një shesh të sistemuar dhe një memorial në kujtim të jetëve të humbura nga fatkeqësia natyrore të këtij pallati.
Bashkia e Durrësit me mbështetjen e qeverisë shqiptare vijon punën për procesin e rindërtimit që po ecën me ritme të shpejta. Po kështu kjo Bashki do të vijojë të dëgjojë me kujdes të gjitha shqetësimet e banorëve të Durrësit dhe do të vijojë të jetë në shërbim të qytetarëve në çdo çast.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb