Kritikët thonë se zgjedhjet nën Putinin kurrë nuk kanë qenë të lira, e as konkurruese. Megjithatë, shumë nga ndryshuar që nga zgjedhjet e fundit presidenciale të vitit 2018, kur politikani liberal, Grigory Yavlinsky, dhe figura televizive, Ksenia Sobchak, u lejuan të garonin dhe të bënin fushatë kundër Putinit. Navalnyt nuk i ishte lejuar të garonte për shkak të një dënimi më 2013, që ai dhe shumë të tjerë thanë se u mor vetëm për të frenuar ambiciet e tij politike. Megjithatë, ai kishte publikuar një manifest zgjedhor, kishte mbledhur nënshkrime për të treguar peshën tij politike dhe kishte komentuar zgjedhjet.

Që atëherë, megjithatë, autoritetet kanë kryer shtypje të madhe të disidencës që është përshkallëzuar shumë që kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës shkurtin e vitit 2022. Organizatat e Navalnyt u shpallën “ekstremiste”, duke detyruar që shumica e aktivistëve të largoheshin nga shteti apo të përballeshin me përndjekje penale.

Kur nisi pushtimi, mediat e pavarura u larguan nga shteti, duke mos dashur të punojnë në Rusi nën kushtet e censurës së kohës së luftës. Disidentët politikë gjithnjë e më shumë u etiketuan si “tradhtarë”, ashtu siç u bë e qartë kur politikani opozitar, Vladimir Kara-Murza, u dënua me 25 vjet burgim – dënimi i tij i gjatë kryesisht ka të bëjë me akuzën për tradhti – në prill të vitit 2023.

Zgjedhjet aktuale mbahen në kushte që njohësi i ekonomisë dhe politikës, Kirill Rogov, i quajti “autoritarizëm të pjekur”, karakteristika kryesore e të cilave është se “opozita ka burime të pamjaftueshme për të pasur ndonjë ndikim në rezultatet e votimit apo në zgjedhje”.

Këtë vit, dy kandidatët e mundshëm që dukej se artikulonin qëndrime vërtetë të ndryshme nga ato të Putinit – gazetarja Yekaterina Dunstova dhe ish-deputeti Boris Nadezhdin – u ndaluan që të merrnin pjesë në zgjedhje nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Analistët dyshojnë se ata u ndaluan të garonin për shkak të pikëpamjeve të tyre kundër luftës, pasi që u krijua një nivel i entuziazmit në mesin e publikut rus, me njerëz që prisnin në radhë të gjata për të nënshkruan peticionin që Nadezhin të merrte pjesë në votime.

“Mund të mos pajtohem me atë që kanë deklaruar Nadezhdin apo Duntsova, por me qejf do të votoja për ta”, tha politikania opozitare në mërgim, Olga Sidelnikova.

Demonstrimi i mbështetjes për Nadezhdinin dhe Duntsovan nuk ishin vetëm tregues të mospajtimit me Putinin dhe politikave të tij në Rusi. Mijëra njerëz të guximshëm, që nuk iu frikësuan pranisë policore, bënë homazhe për Navalnyn gjatë funeralit të tij në Moskë më 1 mars. Familjarët e ushtarëve të mobilizuar për muaj të tërë vazhdimisht mbajnë protesta, duke shprehur zemërimin lidhur me trajtimin e më të dashurve të tyre që gjenden në front. Mijëra njerëz në rajonin e Bashkortostanit protestuan në janar për të mbështetur një aktivist njohur lokal i cili u dënua, një valë protestash që sipas analistit Gallyamov u nxitën nga “ankesat e akumuluara dhe perceptimi se regjimi po dobësohet”.

Të inkurajuar nga zhvillime të tilla, udhëheqësit opozitarë po provojnë një taktikë zgjedhore të quajtur “Mesdita pa Putinin”. Kjo ide, thanë ata, është që të gjithë ata që e kundërshtojnë Putinin të dalin para qendrave të votimit fiks në orën 12:00 më 17 mars, për të treguar fuqi masive dhe krejtësisht të ligjshme.

“Protesta e mesditës i jep kujtdo shansin për të shprehur veten si të duan në përputhje me zemërimin e tyre apo refuzimin e regjimit”, tha ligjvënësi nga Shën Petersburgu, Maksim Reznik, i cili shpiku këtë ide.

“Më e rëndësishmja është bashkimi në kohë dhe në vend… Sigurisht, sot kjo nuk ka të bëjë vetëm me këto zgjedhje. Ka të bëjë me përshtypjet”.

Sapo votuesit të shkojnë në qendrat e votimit, tha Reznik, ata mund të bëjnë çfarë të duan: të mos votojnë, të prishin votën e tyre, të votojnë për njërin nga tre kandidatët e tjerë: Nikolai Kharitonov, Leonid Slutsky dhe Vladislav Davankov.

Navalny kishte mbështetur idenë e “Mesditës pa Putinin” në një prej postimeve të tij të fundit në rrjetet sociale para se të vdiste, kur kishte shkruar se “mund të jetë një demonstrim i fuqishëm i gjendjes së shtetit”.
“Do të jetë një akt proteste në mbarë Rusinë kudër Putinit që po ndodh pikërisht afër shtëpisë suaj”, shkroi ai. “Të gjithë, kudo mund të marrin pjesë. Miliona njerëz mund të marrin pjesë dhe dhjetëra miliona mund t’i shohin ata”.

Shumica e opozitës, megjithatë, ka dyshime për dobinë e gjesteve të tilla simbolike, duke argumentuar se Kremlini me lehtësi mund të paraqesë radhët e gjata para qendrave të votimit si shenjë të mbështetjes për Putinin./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: