NGA JETON SELIMI

Emiljano Vila me atë golin e tij me roveshatë në ndeshjen e parafundit të sezonit të shkuar në Korçë ndezi ëndrrën e titullit te tifozët e kuq, por që nuk u bë realitet, pasi Skënderbeu fitoi në javën e fundit ndaj Flamurtarit. Mesfushori energjik i të kuqve, në një konferencë për shtyp, deklaron se shpreson te fitorja e ekipit të tij, por është i sinqertë teksa thotë se është ende herët që kjo ndeshje të ndajë fatet e kampionatit.

“Është një takim shumë i fortë, pasi luajmë ndaj rivalit tonë kryesor. Është ndeshja e radhës, ku ne na kërkohet të japim maksimumin si skuadër për të arritur objektivin e këtij 90-minutëshi, fitimin e 3 pikëve.

Vijmë në këtë përballje pas 3 fitoresh radhazi, ku sigurisht kanë ndikuar në moralin e skuadrës, por gjithsesi edhe kundërshtari gëzon një grup të mirë lojtarësh, pavarësisht luhatjeve të rezultateve që ka pasur në ndeshjet e fundit, ndaj duhet të jemi të motivuar për këtë përballje. Ndeshja e së dielës nuk do të jetë vendimtare për titullin, pasi kampionati ka treguar se titulli mund të humbet me skuadrat të ashtuquajtura të vogla, ndërkohë që me rivalët ne kemi treguar forcën tonë të vërtetë, shpresoj që ekipi të japë maksimumin të dielën, ndërkohë që rezultatin t’ia lëmë fushës. Sigurisht që në këto 8 javë kemi pësuar vetëm 1 gol dhe këtë e kemi arritur në grup si skuadër nga Ekuban e deri tek Hoxha. Ne mbrohemi në grup dhe njëkohësisht sulmojmë në grup”.

Me ardhjen e Starovës në krye të stolit të kuq, Partizani ka lënë pas periudhën e rezultateve jo të mira, teksa ka korrur tri fitore radhazi, ndaj Vila kërkon që ky ritëm të vazhdojë dhe kundër Skënderbeut.

“Me ardhjen e trajnerit Starova gjërat kanë ndryshuar pozitivisht. E kam thënë edhe më përpara se Starova i transmeton ekipit një forcë tjetër, u merr maksimumin lojtarëve dhe në çdo pozicion që trajneri do të më caktojë do të jap maksimumin tim në fushë”. Goli spektakolar që shënoi në javën e 35-të në të sezonit të shkuar, theu Skënderbeun në shtëpinë e tij dhe gëzoi pa masë tifozërinë e kuqe, ndaj Emiljano Vila shpreson që të ketë mundësi për të shënuar sërish të dielën.

“Sigurisht goli që shënova në ndeshjen e sezonit të kaluar nuk është harruar ende pasi ishte një gol që rihapi kampionatin. Të dielën do të luajmë edhe përballjen e parë të kampionatit me Skënderbeun, shpresoj t’i shënoj përsëri nëse do të më jepet mundësia”.

Kryendeshja e javës së 9-të, Partizani-Skënderbeu, do të luhet në Elbasan për shkak se klubi i kuq është ende pa shtëpi, por Vila shpreson që vuajtjet e tifozërisë së kuqe të marrin fund me ndërtimin e stadiumit. “Nëse luanim në stadiumin ‘Selman Stërmasi’, do të ishte një lehtësi edhe për tifozët tanë, pasi jo të gjithë e kanë mundësinë të udhëtojnë drejt Elbasanit, megjithatë mbështetja e tifozërisë nuk ka munguar asnjëherë edhe pse në këtë sezon luajmë të gjitha takimet në transfertë”.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: