TIRANË

“Të mos mburret askush se ka qenë një gjë e lehtë, ka qenë e vështirë por jo e pasuksesshme”. Kështu shprehet rektori i Universitetit Luarasi Ethem Ruka sa i përket mësimit online, tashmë prej më shumë se një muaji proces i aplikuar nga të gjithë institucionet arsimore në vend.

Ruka uron që mbyllja e shkollave për shkak të pandemisë të mos zgjasë shumë por thekson se në Luarasi janë të përgatitur për çdo eventualitet edhe për mbarimin e vitit akademik nga studentët.

“Nuk kishte asnjë zgjidhje tjetër për arsimin në Shqipëri veçse të kalonte online. Ne tek Luarasi jemi të kënaqur, prapë ka vështirësi. Të mos mburret askush se ka qenë një gjë e lehtë, ka qenë e vështirë. Trupa jonë është e shkëlqyer. Ka qenë një gjë e vështirë por jo e pasuksesshme.

Nëse sistemi aksesohet nga 90% e studentëve është i suksesshëm. Unë uroj që të mos zgjasë shumë por edhe nëse do të zgjasë jemi të përgatitur për të gjitha eventualitetet që studentët ta mbarojnë vitin.

Kam dy nipër një në klasën e 6-të dhe një në të 2-tën, janë çdo ditë në shkollë, testohen, bëjnë detyra. Unë e kuptoj që ndoshta kushtet nuk janë në të gjithë Shqipërinë dhe se ndoshta duhet të ishte investuar më shumë në këtë drejtim por në kushtet e pamundësisë mendoj se kjo është zgjidhja më e mirë. Uroj që shkollat të hapen.

Gjermania do hapej në fillim të majit, shpresoj të ndodhë edhe këtu. Ne mundohemi të koordinojmë mbi 2 mijë përdorues të sistemit. Pedagogët tanë kanë adaptuar një sistem të mrekullueshëm. Seminare, klasa online, bashkëbisedime. Por sido që të jetë shpresoj që të mbarojë për të gjithë ne dhe t’i kthehemi jetës normale”, deklaroi Ruka.

Ai tha se edhe pas kësaj pandemie bota do të vazhdojë të jetë njësoj, pavarësisht se shumë mendojnë se do të ndryshojë.

“Doja të shtoja dhe diçka. Kam dëgjuar shumë që thonë se bota pas kalimit të kësaj pandemie do të ndryshojë. Unë jam pak pesimist, por bota nuk ndryshon kaq kollaj sepse kanë provuar pandemi më të tmerrshme se kjo dhe njerëzit janë sjellë po njësoj dhe kanë rendur pas fitimit”, deklaroi ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb