TIRANE- Ministria e Arsimit reagoi ndaj videos së transmetuar në emisionin investigativ “Stop” në televizionin Klan, ku një mësuese ushtron dhunë fizike mbi një nxënës gjatë orës së mësimit, duke e pezulluar nga puna.

Menjëherë pas transmetimit të kësaj video, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, i është drejtuar personalisht Drejtorisë Arsimore Rajonale Tiranë Qytet për nisjen e grupit të inspektimit për verifikimin e ngjarjes që shfaqet në video. Pas verifikimit, rezultoi se mësuesja e shfaqur në këto plane filmike, është Lumturi Bulku, mësuese prej 38 vite pune në profilin Edukim Figurativ.

Ngjarja ka ndodhur në muajin nëntor, 2015, gjatë orës së Edukimit Figurativ, në klasën e VIII -të, të shkollës 9 vjeçare “Ramazan Jarani”, Tiranë.

Në këto kushte, Drejtoria Arsimore Rajonale e Qytetit Tiranë në bashkëpunim me shkollën kanë filluar menjëherë procedurën disiplinore të largimit nga puna të mësueses për shkak të përdorimit të dhunës fizike ndaj nxënësve.
Sakaq, MAS ka duke dënuar ashpër këtë akt të shëmtuar duke i bërë thirrje qytetarëve të denoncojnë akte të tilla.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: