TIRANË

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dalë sot para mediave në komunikimin e përjavshëm të së premtes për të folur për qëndrimet e tij dhe zhvillimet politike. Kreu i Shtetit informoi së pari për dekretimin e një sërë ligjeve të sjella nga Kuvendi, kalimin apo dhe kthimin e tyre në Kuvend.

Ai u ndal më gjerë tek çështja e eurobondit dhe KLSH-së. Për këtë të fundit, Meta tha se nuk do të lejojë asnjë lloj presioni siç ndodhi, tha ai pa dijeninë e kreut të Kuvendit.

“Në vijim të transparencës për veprimtarinë javore të Presidentit të Republikës, që tashmë e kemi kthyer në traditë çdo të premte, në funksion të sqarimit të opinionit publik, respektimit dhe garantimit të besimit të tyre ndaj institucioneve, ju bëj me dije se gjatë kësaj jave kam kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin nr. 55/2020 “Për shërbimet e pagesave”.

Pavarësisht risive që synon të sjellë ky ligj, në raport me vetë procesin e licencimit dhe mbikëqyrjes së shoqërive të licencuara që do të zhvillojnë aktivitetin në fushën e shërbimit të pagesave, ligji paraqet disa problematika të theksuara.

Reflektimi mbi këto problematika dhe adresimi i tyre nga Kuvendi i Shqipërisë besoj se do të ofrojë një terren më të sigurtë ligjor për operatorët ekonomikë dhe në ruajtjen të pacenuar të interesit publik në tërësi.
Kuvendi shpresoj t`i kushtojë posaçërisht vëmendje parashikimeve që lidhen me:
sigurinë e administrimit të fondeve që qarkullojnë përmes institucioneve të pagesave, dhe
shmangien e rrezikut potencial të keqpërdorimit të tyre për pastrimin e parave apo financimin e terrorizmit.
Gjithashtu, mungesa e koherencës me legjislacionin në fuqi, penal dhe atë të vettingut, rrezikojnë të cenojnë hetimet e Prokurorisë dhe të organeve të rivlerësimit. Dhe për këto procese thelbësore për drejtësinë, ne duam vetëm një lloj standardi, jo operimin me standarde të ndryshme në kohë të ndryshme!
Me kënaqësi shpalla nr. 65/2020 “Për një shtesë në ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993, ‘Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.
Dhe e përshëndes këtë nismë që do të vlerësojë kontributin e dhënë ndër vite edhe nga sportistët, duke u njohur të drejtën për të përfituar pension të posaçëm.
Këtë javë patëm një komunikim publik dhe transparent me Kuvendin e Shqipërisë, për një çështje jetike për financat publike: atë të emetimit të një Eurobondi të ri.
Shuma që parashikohet të emetohet, nxitimi në procedura pa lënë kohën e nevojshme për konsultim me të gjithë aktorët dhe institucionet, apo parashikimet mbi heqjen dorë a priori mbi imunitetin, më detyruan të mos jepja fillimisht pëlqimin për hyrjen në fuqi menjëherë të këtij akti, duke kërkuar vëmendjen dhe konsultimin profesional të kësaj nisme nga Kuvendi, e sidomos qëndrimin e Bankës së Shqipërisë.
Reflektimi i Kuvendit për shqetësimet e ngritura, dhe pranimi i faktit se, nevoja dhe urgjenca lidhej me presionin e lartë financiar që po kalon vendi pas goditjeve natyrore dhe shëndetësore (tërmeti dhe pandemia COVID-19), bënë që të jap miratimin për hyrjen në fuqi menjëherë të këtij akti pas botimit, shoqëruar edhe me apelimin ndaj Kuvendit dhe Qeverisë që:
Çdo transaksion financiar të paraprihet nga një analizë e gjendjes së valutës aktuale, të pritshmërisë së huadhënies për situatën emergjente të dhënë nga institucionet ndërkombëtare, si dhe të nevojave prioritare për të përcaktuar shumën e duhur në kohë të huamarrjes në tregun ndërkombëtar.
Nga ana ime do të ndiqet me vëmendje kjo çështje që lidhet direkt me interesin publik.
Në datën 26 maj 2020 jam njohur edhe me letrën nr. 1358, të Kryetarit të Kuvendit, përmes së cilës më kërkohej propozimi i kandidaturës së re për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Me një institucion kaq të rëndësishëm kushtetues, e theksoj edhe njëherë, nuk do të lejoj të bëhet presion politik, siç u tentua për fat të keq edhe me fushatën e sponsorizuar të publicitetit që shoqëroi këtë letër, jam i bindur pa dijeninë dhe përfshirjen e Kryetarit të Kuvendit, dhe me shantazhin e ndryshimeve ligjore përmes të cilave gjoja do të bëhet e mundur emërimi me ligj i një ZëvendësKryetari të KLSH-së, duke e justifikuar këtë si “mekanizëm zhbllokues”, kur në fakt nuk është gjë tjetër përveçse mekanizmit të njohur rrëmbyes dhe uzurpues të institucioneve të pavarura.

Dje i kam kërkuar zyrtarisht Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, zotit Bujar Leskaj që të qëndrojë në lartësinë e detyrës, në respekt vetëm të Kushtetutës dhe ligjit, deri në zgjedhjen e Kryetarit të ri në mënyrë vetëm kushtetuese dhe të mos i bindet asnjë urdhri apo akti që mund të synojë uzurpimin e këtij pozicioni mjaft të rëndësishëm kushtetues.

Dhe ftoj Kuvendin të vlerësojë me objektivitet, jashtë interesit politik, kandidaturën e propozuar, si një kandidaturë me eksperiencë për të përmbushur me profesionalizëm dhe dinjitet këtë detyrë tepër të rëndësishme kushtetuese.

Profili i tij si njohës shumë i mirë i legjislacionit, veçanërisht atij penal, njohuritë dhe certifikimet në fushën ekonomike dhe përvoja akademike e profesionale 16-vjeçare, e bëjnë një kandidat të përshtatshëm për drejtimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, si një institucion që ka nevojë për një qasje të qartë gjithmonë në ushtrimin e funksioneve për kontrollin e përdorimit të pasurisë publike dhe vënien para përgjegjësisë të abuzuesve me to, cilëtdo qofshin ata.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb