Drejtoresha e Institutit të Trashëgimisë Kulturore Arta Dollani jep pergjigje për akuzat e shqetësimet e ngritura mbi minaren e xhamisë se Ethem Beut. Duke mohuar që ka çarje, ajo shprehet se bëhet fjalë per krisje fugash, që janë në zonat e bashkimit të dy elementëve të ndërtimit.

Prej ditësh në mediat sociale qarkullojnë video dhe fotografi sipas të cilave minarja e xhamisë së Ethem Beut, monument Kulture i shek. 18, ka çarje që e kërcënojnë seriozisht.

Ndërsa për atë që dukej si çarje e tërthortë u sqarua se ishte mbetje silikoni nga mbulesa kur punohej në çati, një video tjetër, pretendon se nxjerr çarjet në zonën e kazanit, ose sherefesë, vendi ku myezini thërret ezanin. Drejtoresha e Institutit të Trashëgimisë pranë Ministrisë së Kulturës, Arta Dollani në një intervistë për News24 jep përgjigje për shqetësimet.

Arta Dollani thotë se “Xhamia nuk ka çarje. Janë krisje fugash tërësisht të restaurueshme”. E pyetur se çfarë janë fugat, Dollani sqaron se fugat janë bashkim i elementëve të ndërtimit. “Fugat e krisura, janë bashkim i elementëve, gjë që restaurohet në çdo objekt”.

E pyetur nëse ndërtimet afër xhamisë ndikojnë në këto krisje, siç ka bërë tërmeti, Dollani tha “Nuk kanë asnjë ndikim absolutisht”.
Ajo tha se pas restaurimit objekti do jetë i sigurt.

Sipas Dollanit, mediat nuk mund të aksesojnë në zonën e xhamisë për të xhiruar, duke qenë se punimet bëhen jashtë ndaj ka një perimetër sigurie që duhet respektuar. Restaurimet në objekt kanë nisur tri vite më parë, dhe kanë përfshirë elemente të jashtme e të brendshme, që nga çatia deri te pikturat murale.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb