Ministri i Jashtëm i Ukrainës i ka kërkuar Evropës të injorojë këmbënguljen e Rusisë se pagesa për dërgesat e ardhshme të gazit rus do të duhet të bëhet në rubla.

Njoftimi nga Moska shihet si një përpjekje për t’i bërë vendet evropiane të mbështesin monedhën ruse, vlera e së cilës ka rënë ndjeshëm që nga fillimi i luftës.

Është gjithashtu një kujtesë e rëndësisë së furnizimeve energjetike të Rusisë si një mjet pazaresh në marrëdhëniet midis Kremlinit dhe Perëndimit.

“Nëse ndonjë vend i BE-së përkulet ndaj kërkesave poshtëruese të Putinit për të paguar naftën dhe gazin në rubla, do të jetë si të ndihmosh Ukrainën me njërën dorë dhe të ndihmosh rusët të vrasin ukrainasit me anën tjetër”, tha ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba në një postim në Tëitter.

“Unë u bëj thirrje vendeve përkatëse të bëjnë një zgjedhje të mençur dhe të përgjegjshme.”

Perëndimi ka vendosur sanksione të rënda ndaj Rusisë që kur Moska dërgoi trupa në Ukrainë një muaj më parë. Megjithatë, Evropa varet shumë nga gazi rus për ngrohjen dhe prodhimin e energjisë dhe Bashkimi Evropian është i ndarë nëse do të sanksionojë sektorin energjetik të Rusisë.

Mesazhi i Putinit ishte i qartë:” Nëse doni gazin tonë, blini monedhën tonë”. Mbetet e paqartë nëse Rusia ka fuqinë për të ndryshuar në mënyrë të njëanshme kontratat ekzistuese të dakorduara në euro.

Tregu i aksioneve të Rusisë u hap për herë të parë në një muaj të enjten pasi investitorët morën pjesë në një sesion tregtimi shumë të kufizuar. Indeksi standard MOEX fitoi deri në 10% në tregtinë e hershme në Moskë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb