Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka reaguar zyrtarisht pas disa deklaratave të bëra sot në Kuvend, duke sqaruar se ato nuk pasqyrojnë situatën reale në Spitalin e Lushnjes.
Në reagimin zyrtar theksohet se spitali ndodhet aktualisht në proces rikonstruksioni, çka ka sjellë riorganizime të përkohshme të shërbimeve, por pa ndërprerë asnjë prej tyre për qytetarët.
“Nuk ka mungesë të materialeve bazë si pambuk apo alkool. Furnizimi është i rregullt. Asnjë shërbim nuk është ndërprerë. Shërbimi gjinekologjik është riorganizuar përkohësisht brenda spitalit. Mamografia është funksionale,” thuhet në deklaratë.
Ministria thekson gjithashtu se spitali vijon aktivitetin normal dhe po garanton shërbim dhe siguri për pacientët, pavarësisht ndërhyrjeve infrastrukturore që janë në proces.
Sipas autoriteteve shëndetësore, çdo pretendim për mungesa apo ndërprerje shërbimesh nuk përputhet me gjendjen aktuale në institucion.
