PARIS- …Dhe Christiane Taubira largohet nga ministria me biçikletë. Pas dorëzimit të detyrës ministrit të ri të Drejtësisë, Jean-Jacques Urvoas, ministrja e dorëhequr franceze e Drejtësisë, Christiane Taubira, u largua nga ndërtesa historike në sheshin “Vendome” të Parisit mbi një biçikletë.

Ministrja 63-vjeçare, e shoqëruar nga dy agjentë, edhe ata me biçikleta, përshëndeti fotografët dhe stafin mes duartrokitjeve.

Një imazh që do të mbetet në kujtesën e shumë personave. Ministrja franceze e Drejtësisë, Christiane Taubira, shkak i mosmarrëveshjes me ekzekutivin mbi një projektligj të privimit të shtetësisë së autorëve të akteve terroriste, i paraqiti sot dorëheqjen presidentit François Hollande.

Dorëheqja e ministres, garancia e së majtës në qeverinë e Manuel Vallsit dhe “e përbuzura” nga e djathta e cila e akuzon për tolerancë të tepruar, vjen ndërsa kryeministri pritet të paraqesë sot para deputetëve tekstin përfundimtar të projektit për reformën kushtetuese mbi gjendjen e jashtëzakonshme dhe heqjes së statusit të shtetësisë.

“Shpeshherë të rezistosh është të qëndrosh, shpeshherë të rezistosh është të largohesh”, komentoi Christiane Taubira në platformën Twitter.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb